Vendosni fjalën kyçe....

Balla ironizon Bashën: Nuk je më as e majtë, as e djathtë. Përgatitu për zgjedhjet e vitit 2029 se 2025-a iku


Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Balla, hodhi poshtë vërejtjet e kreut të PD-së, Basha, lidhur me buxhetin, duke thënë se qeveria Rama po bëhet gati të miratojë një buxhet dy herë më të lartë se ai i vitit 2013.

Sipas tij, buxheti më i madh që ka pasur vendi ndonjëherë garanton mbështetjen sociale për shtresat në nevojë dhe investimet për infrastrukturën.

“Një gjë është domethënëse, kur Lulzim Basha dhe ai kolegu që dikur ulej këtu dhe tani e ka vendin në fund të sallës, ishin në qeveri buxheti i këtij vendi ishte 3.35 miliardë dollarë. Buxheti faktik i vitit 2013. Sot Shqipëria bëhet gati që të miratojë një buxhet prej 6.37 miliardë dollarë, ose dy herë më shumë se sa buxheti që miratuat ju në qeverinë tuaj të fundit. Buxheti më i madh i historisë së këtij vendi. Në një kohë kaq të shkurtër kemi arritur ta dyfishojmë buxhetin. Ky është buxheti më i madh që ka pasur Shqipëria. Garanton dhe stabilizon rritjen ekonomike ndoshta më të lartën në rajon, që garanton mbështetjen sociale për të gjitha shtresat në nevojë. për ne rëndësi kanë shtresat në nevojë. Ky buxhet ka buxhetin më të madh për shtresat në nevojë nga viti 1990. Është një buxhet i cili do të përfundojë tërësisht projektin e madh të rindërtimit dhe është një buxhet që do garantojë që ne të vijojmë ato investime të mëdha që lidhen me infrastrukturën e rëndësishme, kyçe të vendit tonë.” – tha Balla.

Ai ironizoi Bashën duke thënë se PD-ja nuk është as e majtë as e djathtë ndërsa tha se duhet të bëhet gati për zgjedhjet e vitit 2029 pasi ato të 2025-ës do i humbë.

“Bashës do i kërkoj që të hënën tjetër të marrë fjalën në këtë seancë, në këtë foltore dhe të japë përgjigje si ka mundësi që Shqipëria në 2013 kishte një buxhet dy herë më të vogël se buxheti 2022. Sepse në krye të këtij vendi është një qeveri e përgjegjshme. Ky mandat i këtij kuvendi do jetë i ndryshëm dhe në qasjen tonë ndaj opozitës. Do i shohim propozimet tuaja, nëse kanë pak vlerë do i marrim në konsideratë. Por për çështje që lidhen me paketën fiskale dhe për buxhetin dihet dallimi mes maxhorancës dhe opozitës. Ju nuk jeni më as e majtë e as e djathtë, kur ta gjeni rrugën se çfarë jeni jemi të gatshëm të diskutojmë për programin qeverisës. Po kohë keni boll, filloni bëhuni gati për 2029 se 2025 iku.” – tha Balla.