Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka pritur në një takim në selinë blu delegacionin me kongresmenët amerikanë.
Në një deklaratë për mediet në përfundim të këtij takimi, Basha tha se ata shprehën interes në iniciativat politike të PD-së, siç është Vettingu i Politikanëve.
“Përfaqësuesit e lartë të Kongresit Amerikan në një delegacion të kryesuar nga senatorja republikane, Ernst dhe me praninë e dy anëtarëve të Kongresit Amerikan, po kështu të Partisë Republikane dhe një zonjë të Kongresit Amerikan, të Partisë Demokratike, sëbashku me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare, vizituan PD-në dhe na dhanë mundësinë për të shkëmbyer mendime mbi gjendjen politike në Shqipëri, në rajon dhe mbi perspektivën e bashkëpunimit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Në prioritetin e parë për Shqipërinë natyrisht rendita domosdoshmërinë e rikthimit në shinat demokratike të zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe rolin e veçantë që ka në këtë drejtim lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit me politikës dhe krimit të organizuar, ku shfaqën një interes të veçantë për iniciativat tona politike, siç është ai i Vettingut të Politikanëve dhe interesi më madhor i Partisë Demokratike dhe i shqiptarëve, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Folëm po kështu për rëndësinë që ka jo vetëm për sigurinë dhe për paqen e stabilitetin, po kështu për demokracinë lufta kundër korrupsionit, por edhe për faktin që i gjithë rajoni sot po përjeton një nevojë të ngutshme për të rikthyer shoqëritë e Ballkanit Perëndimor në shinat e legjitimitetit demokratik.”– deklaroi Basha.