Sipas djalit të biznesmenit, Ruzhdi Hoxha, i cili u gjet i vdekur dy ditë më parë në Qafë Mollë, Tiranë, i ati dhe një person tjetër kishin marrë përsipër të digjnin makinat e kompanisë ‘Salillari’ në Marikaj pranë Vorës, për një shpërblim prej 200 mijë eurosh.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për “BalkanWeb” dëshminë e djalit të viktimës dhënë policisë tre ditë pas zhdukjes së të atit.
Këtë punë ia kishte gjetur vëllai i shtetasit Gj.L. Ata kishin shkuar më datë 7 tetor në këto ambiente, por nuk kishin mundur të kryenin djegien e makinave.
Sipas dosjes Policore, për këtë ngjarje kishte dijeni dhe shtetasi E.Gj. Ky i fundit është në dijeni të një konflikti që ka pasur shtetasi Ruzhdi Hoxha me një shtetas të cilin e njeh vetëm me emrin Visi.
Nga deklarimet e marra rezulton se Ruzhdi Hoxha më 21 tetor, rreth orës 23:30, ka qenë duke pirë kafe tek një lokal në autostradë, në rrugën dytësore ngjitur me një biznes të njohur, me dy shokët e tij E. B. dhe E.T.
Më pas e kanë marrë në telefon dhe ka takuar shtetasin Fredi Rrushi, K.I. dhe A.F., të cilët kanë qenë me automjetin tip “Pasat” me ngjyrë gri. Të tre këta persona janë banues në zonën e Treshit në Tiranë.
Pasi e kanë marrë në makinë ne tyre shtetasin Ruzhdi Hoxha janë nisur në drejtim të Treshit. Kur kanë mbërritur tek ky vend, shtetasi K.I. dhe A.F., kanë zbritur nga makina duke u ndalur tek lokali i shtetasit K.I., ndërsa Fredi Rrushi dhe Rruzhdi Hoxha kanë vazhduar duke bërë një xhiro me makinë në këtë lagje.
Pasi kanë bërë një xhiro, Fredi Rrushi ka shpjeguar se e ka zbritur nga makina Rruzhdi Hoxhën në afërsi të stacionit të Treshit.
Nga administrimi i tabulateve të Ruzhdi Hoxhës, telefonata e fundit është ajo e datës 21 tetor, ora 23:42 me numrin e telefonit në përdorim të A.F. (në deklarime rezulton se Fredi Rrushi i ka kërkuar këtij shtetasi ta marrë në telefon Ruzhdiun).
Nga këqyrja e pamjeve filmike të sjella nga ana e shtetasit E.Hoxha, djali i viktimës, pamje të cilat janë të parkimit të ndodhur në hyrje të parkut të liqenit në Tiranë, rezulton se Ruzhdi Hoxha ndodhet në këto ambiente rreth orës 20:53, sipas orës së kamerave. Ai mbante të veshur një xhup pa mëngë ngjyrë të errët, një bluzë, e cila nga pamjet duket si ngjyrë gri dhe pantallona të ngushta ngjyrë të errët.