Vendosni fjalën kyçe....

Frymëzohet nga “Joker” – Burri në Japoni tenton t’i vërë flakën trenit të shpejtësisë së lartë



Policia në Japoni ka arrestuar një burrë në një tren me shpejtësi të lartë, pasi ai kishte spërkatur një lëng të ndezshëm dhe ka tentuar t’i vërë flakën një prej vagonëve.

Rreth 30 pasagjerë po udhëtonin në të njëjtin mjet me zjarrvënësin në kohën e incidentit të ndodhur të hënën në mëngjes. RT shkruan se të gjithë arritën të shpëtonin të padëmtuar.

69-vjeçari i cili kishte qenë zjarrfikës u arrestua nga policia. I dyshuari, i cili nuk bëri rezictencë, më vonë u tha autoriteteve se “u përpoq të kopjonte” sulmin me thikë dhe zjarrvënie që ndodhi në një tren në Tokio muajin e kaluar, kur një 24-vjeçar i veshur si Joker plagosi 17 pasagjerë përpara se të arrestohej.

Incidenti i sotëm çoi në vonesa në shërbimet e trenave deri në 50 minuta.

Japonia ka regjistruar një mori sulmesh të ngjashme në muajt e fundit. Në mes të tetorit, një burrë goditi me thikë dy pasagjerë të tjerë në një stacion treni në Tokio. Në gusht të këtij viti, një tjetër sulm me thikë në një tren udhëtarësh në kryeqytetin japonez la nëntë persona të plagosur.