Në mbledhjen e Komisionit të Medias, kryetari i këtij komisioni Agron Gjekmarkaj ngriti shqetësimin për dhunën shtetërore ndaj gazetarëve.
Kjo për shkak të incidentit të rëndë që ndodhi dy ditë më parë, kur një punonjës policie shtyu gazetaren Anila Hoxha dhe operatorin Endri Aga gjatë raportimit të lajmit për vrasjen e një biznesmeni në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Gjekmarkaj vuri në dukje se sulmi nga afektivët e policisë ndaj tyre ndodhi pa arsye, ndërsa ata ishin në krye të detyrës.
“Të dënojmë këtë ngjarje të rëndë. Ne e kemi edhe në Kodin zakonor, që lajmësi është gjithmonë në besë dhe duhet të jetë gjithmonë i garantuar. Është moment i trishtuar, kur pikërisht në përpjekjen e vet për të transmetuar të vërtetën dhe për të përcjellë lajmin tek shoqëria, në krye të detyrës, gazetarja sulmohet pikërisht nga ata që duhej të ishin mbrojtësit e gazetarëve, në këtë rast, një polic. Pa ngjyrime të djathtë apo të majtë, ne biem dakord që ishte një akt i shëmtuar, një akt që duhet dënuar”- tha Gjekmarkaj.
Kryetari i Komisionit të Medias i bëri thirrje Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë të reflektojnë nga ngjarje të tilla që vënë në rrezik jetën e gazetarëve. Po ashtu ai kërkoi ndëshkimin nga drejtësia të kujtdo që dhunon gazetarët në krye të detyrës.
“Është një akt që kërkon një reflektim për atë çfarë është trupa policore në Shqipëri. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ministri i Brendshëm, do të duhej ta rishikonin trupën e tyre, çfarë kanë rekrutuar në këto vite, sepse për hir të së vërtetës, në 30 vite liri shpeshherë policia i ka bërë betejat e veta, por shpeshherë është ngritur edhe kundër moralit qytetar me pjesëmarrës të padëshiruar që ka patur aty dhe ka ende, të cilët janë rekrutuar jashtë çdo kriteri profesional dhe njerëzor.
Do të duhej shumë që policia të ishte profesionale, në lartësinë e detyrës dhe mbi të gjitha korrekte me gazetarët, që në këto vite kanë bërë beteja jo të vogla për të sensibilizuar shoqërinë për abuzime të pushtetit por në raport me të vërtetën dhe lajmin. Besoj jeni të gjithë dakord një akt i tillë nuk duhet të përsëritet dhe mbi të gjitha të ndëshkohen akte të tilla nga drejtësia më shumë nga drejtësia se sa nga opinioni publik i cili mban qëndrim etik.”– tha Gjekmarkaj.