Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim Raporteren për Shqipërinë në PE, Isabel Santos. Disa nga çështjet që Meta dhe Santos diskutuan në këtë takim, ishin shqetësimet për krimin e organizuar, emigracionin dhe problemet rajonale.
Gjatë fjalës së tij, Meta thotë se i ka thënë eurodeputetes që duhet të bëhet sa më parë liberalizimi i vizave edhe për Kosovën.
“Vlerësova angazhimin e saj dhe të Parlamentit Europian në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Ramë dakord se krimi i organizuar dhe emigracioni përbëjnë shqetësim serioz, që duhet trajtuar me përparësi.
Dita e sotme shënon 11-vjetorin e vendimit të Këshillit Europian për liberalizmin e vizave me Shqipërinë.
Është e domosdoshme, që ky proces të përmbyllet me rajonin tonë, duke liberalizuar sa më parë vizat edhe me Kosovën, të vetmit vend që nuk i është mundësuar ende kjo e drejtë edhe pas plotësimit të të gjitha kushteve.
Theksova gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke u ndalur edhe në situatën shqetësuese të krijuar në Bosnje-Hercegovinë, së cilës Bashkimi Europian duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur pa humbur kohë.”- shkruan Meta pas këtij takimi.