Presidenti Ilir Meta prej disa ditësh ndodhet në Itali ku ka zhvilluar një sërë takimesh me komunitetin arbëresh.
Kreu i Shtetit shprehet se nevojitet binjakëzimi i bashkive arbëreshe me ato shqiptare si dhe të rritet bashkëpunimi dhe shkëmbimet në fushën kulturore dhe historike.
“I nderuar nga pritja vëllazërore e Komunitetit të dashur Arbëresh në Mezzojuso, që prej shekujsh i ruan dhe kultivon kulturën, traditat dhe ritet e të parëve tanë. Dikur edhe gjuha ishte e kultivuar siç na dëshmojnë veprat madhore të Nikollë Filjas, një nga autorët e letërsisë së vjetër arbëreshe.
Nevojitet një përkushtim më i madh për të arritur regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe në UNESCO, si dhe një promovim e vëmendje e jashtëzakonshme ndaj kësaj pasurie të çmuar, vlerë e përbashkët me Italinë mike.
Me shumë rëndësi binjakëzimi i bashkive arbëreshe me ato shqiptare, si dhe rritja e ndjeshme e shkëmbimeve në fushën kulturore dhe historike, për të forcuar më tej marrëdhëniet mes nesh”-shkruan Meta.