Vendosni fjalën kyçe....

Nikolla takohet me Raportuesen e Shqipërisë në PE: Jemi gati për Konferencën e Parë Ndërqeveritare


Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka pritur pasditen e sotme në një takim Raportuesen për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.
Në një njoftim nga Kuvendi thuhet se kryetarja Nikolla i shprehu Santos vlerësimet e larta për punën e saj dhe për mbështetjen pa kushte për çeljen e negociatave dhe avancimin drejt mbajtjes sa më shpejt të Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

“Parlamenti Evropian ka qenë gjithmonë mbështetësi i zëshëm i të ardhmes evropiane të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Nisma e Presidentit Sassoli për krijimin e dialogut mes Kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor dhe Parlamentit Evropian ka qenë një mjet domethënës i bashkëpunimit dhe përkushtimit politik për integrimin evropian të rajonit.”- është shprehur Nikolla.

Kjo e fundit e informoi eurodeputeten Santos edhe mbi punën që po bëhet nga Kuvendi dhe institucionet e tjera të vendit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian të vitit 2021.

Në këtë takim, zonja Santos thuhet se vuri në dukje arritjet e Shqipërisë në rrugëtimin evropian dhe realizimin e reformave, të cilat duhet të avancojnë, jo vetëm për shkak të kërkesave e standarteve integruese, por si përgjigje ndaj aspiratave e nevojave të qytetarëve shqiptarë.

Nikolla dhe Santos biseduan edhe mbi disa aspekte të vazhdimit të reformave të rëndësishme si reforma në drejtësi dhe procesi i vetting-ut, reforma zgjedhore etj. Kujtojmë se Santos më herët u prit në një takim nga presidenti i vendit Ilir Meta.