Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla zhvilloi ditën e sotme një takim me në selinë e Kuvendit me Reporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos.
Në deklaratën për mediat, Balla tha se Shqipëria do vijojë në vijimin e reformave.
Ai e cilësoi zgjatjen e organeve të vettingut një çështje emergjence dhe jo politike. Ai theksoi se nuk ka mungesë dakordësie nga deputeti socialist Fatmir Xhafa por ai ka një qëndrim ndryshe.
“Ajo që është e rëndësishme për Shqipërinë është që ne do të vijojmë të punojmë të çojmë përpara reformat dhe veçanërisht me reformën për drejtësi. Shpresojmë të gjejmë konsensus në lidhje me këtë zgjatjen e afateve të vetingut deri në dhjetor të vitit 2024.
Nuk është një çështje politike. Jemi në kushtet e një emergjence që palët duhet të bëjnë për të përmbushur rekomandimet e ndërkombëtarëve dhe të bien dakord.
Nuk ka mungesë dakordësie. Natyrshëm zoti Xhafa është një nga ata që ka dhënë pa asnjë diskutim një kontribut të madh në reformën në drejtësi. Ai ka një qëndrim të ndryshëm.
Edhe me mua si kryetar grupi ka patur një diskutim ku më ka thënë që Komisioni i Venecias e ka dhënë njëherë një opinion për këtë çështje. Por unë mendoj se duhet një opinion i ri”, tha Balla.