Ish-drejtuesi i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka komentuar sot betejën e ish-kryeministrit Sali Berisha me kreun aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, duke e konsideruar atë një betejë tërësisht personale.
Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Top Talk”, Patozi u shpreh se PD është ndarë në dy copa të mëdha dhe se Berisha dhe Basha kërkojnë që të dy të kenë monopolin e Partisë Demokratike.
Sipas tij, Berisha ka si opsion që të krijojë një parti të re, por që ai nuk do të mund ta pranonte edhe nëse do merrte copën më të madhe nga partia po të mos qe vetë PD-ja.
“Unë mendoj se beteja e Berishës është tërësisht personale. Nuk ka nevojë për shumë argumente për këtë. Mjafton që ajo ka lindur si lëvizje në 9 shtator kur Lulzim Basha vendosi ta përjashtojë. Është hipokrizi.
Mirëpo është tek e fundit i vetmi instrument që iu ka mbetur për t’u justifikuar përpara mbështetësve të vet.
Tani Sali Berisha sigurisht është në të drejtën e vet që të vazhdojë karrierën politike, por tek e fundit duhet të heqë dorë nga analiza e kryesimit të Partisë Demokratike për 8 vite nga Lulzim Basha. Duke filluar që nga dita e parë e deri tek 9 shtatori. Pastaj sigurisht mund të flasë, është në të drejtën e vet që të thotë besëprerje… Duhet të heqë dorë pasi ka qenë në Paketë bashkë me të. Ka qenë bashkëdrejtues dhe mbështetësi kryesor i Lulzim Bashës, për të mos thënë tutori i tij në të gjitha aksionet politike në këto 8 vite.
Berisha iu drejtohet personave që vënë në punë emocionet, ndjenjat dhe jo arsyetimit dhe ata sigurisht e ka më të lehtë për t’i manipuluar. Berisha është një populist race.
Ne duhet të sqarojmë një gjë, që Berisha dhe Basha kërkojnë të kenë monopolin e PD-së por interesat i ka të ndryshme pavarësisht që duket sikur i kanë të njëjta. Pra, Lulzim Basha ka këtë hall, të shpëtojë nga Sali Berisha. Lulzim Basha është i gatshëm vetëm që të shpëtojë, edhe nëse Sali Berisha i merr 80 % të Partisë, vetëm që të ikë. Ndërsa Sali Berisha nuk ka si qëllim që të shpëtojë nga Lulzim Basha, por të pushtojë Partinë Demokratike. Pra ta marrë me letra, ta zhbëjë lëvizjen Basha, ta zhdukë nga politika.
Sepse ai nuk mund të pranojë që PD-në ta zhbëjë dikush tjetër, pra përbindësi që e ka rritur vetë (për Bashën), sepse e ka si çështje krenarie por edhe i duket si pranim i disfatës që të krijojë një parti tjetër e të pranojë realitetin.
Partia Demokratike është ndarë në dy copa të mëdha. Berisha edhe po të marrë copën më të madhe nuk e pranon dot po të mos jetë PD por një parti tjetër.”- u shpreh Patozi.