Vendosni fjalën kyçe....

Edhe Maqedonia e Veriut shpall krizë energjetike


Maqedonia e Veriut shpalli të martën krizë energjetike, e cila do të zgjasë 30 ditë.

Qeveria tha se shpallja e gjendjes së krizës është për të injektuar mjete te kompanitë energjetike dhe për të rritur likuiditetin e tyre.

Vendimi i Qeverisë nuk parashikon masa kufizuese për qytetarët, por nga janari çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet për rreth 8-9 për qind.

Qeveria njoftoi se rreth 4 miliardë denarë (rreth 65 milionë euro) do të transferohen nga buxheti te kompanitë energjetike, për të kapërcyer, siç tha, të gjitha rreziqet në sektorin e energjisë dhe për furnizim të rregullt me energji elektrike.

“Qeveria aktualisht është e fokusuar në përballjen me sukses të sfidave të paraqitura nga kriza globale energjetike. Gjendja e krizës energjetike sillet për të përmirësuar funksionimin e kompanive energjetike, për të rritur likuiditetin e tyre dhe për të mos miratuar asnjëherë masa kufizuese që do të ndikonin negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi.