Vendosni fjalën kyçe....

Ish-deputeti Azgan Haklaj: Berisha është rrezik kombëtar, përpjekja për ta rrëmbyer opozitën është puç statutor dhe grusht shteti


Për Azgan Haklajn, ish-kryeministri Sali Berisha është rrezik kombëtar. Ish-studenti i Dhjetorit dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, foli sot në një intervistë për “Spotlight”, ku tha se kjo do të jetë arsyeja pse në vendin tonë do të zbarkojnë vazhdimisht përfaqësues të rëndësishëm të SHBA-ve duke iu referuar edhe vizitave të fundit nga përfaqësues të Kongresit Amerikan.

“Berishës i duhen sa më shumë lojtarë për t’u bërë protagonist i brendshëm dhe faktor i jashtëm për të patur sa më shumë antiamerikanë në betejën me Amerikën. Këtu qëndron problemi.

Pra, loja është përtej PD-së dhe është lojë shumë e rrezikshme.

Ndaj kanë zbarkuar amerikanët. Do zbarkojnë dhe të tjerë. Dhe unë këtë e kam informacion shumë të saktë.

Do zbarkojnë edhe amerikanë të tjerë këtu për interesat e mëdha amerikane. Nuk janë ushtarë, janë përfaqësues të Shtetit Amerikan, të Kongresit dhe të Departamentit të Shtetit Amerikan.

Pra ne analizuam një vizitë zyrtare me një vizitë private. Erdhi Grenell, s’erdhi Grenell. Ai vërtet paguhet me lobingje për Serbinë, është pjesë e skenarit. Le të ketë qenë, le të mos ketë qenë i Trumpit. E rëndësishme është diçka: e para, Lulzim Basha ka mbështetjen e Amerikës. E dyta, Lulzim Basha ka mbështetjen e strukturave të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Lulzim Basha ka mbështetjen e anëtarësisë.”- tha Haklaj.

Sipas tij, lideri historik i PD-së Berisha e ka nuhatur situatën dhe po përdor nostalgjikët e kësaj force politike për hallet e veta dhe të familjes së vet.

“Berisha, si lojëtar i fortë i gjeopolitikës, duke e nuhatur situatën ballkanike, po luan fort, sigurisht për interesa të veta dhe të familjes së vet dhe po përdor nostalgjikët e Partisë Demokratike, për ta përdorur Partinë Demokratike si bunkier për hallet e veta.”- tha ai.

Ndërkohë, Foltoren dhe përpjekjen e Berishës për të shkarkuar Bashën, Haklaj e ka quajtur si një përpjekje për grusht shteti dhe puç kushtetues.

“Përpjekja për ta rrëmbyer opozitën, sepse përfaqësuesja më e madhe e opozitës është PD-ja, në mënyrë antistatutore është mirëfilltazi puç statutor, grusht shteti. Puç kushtetues. Të rrëmbesh opozitën sot, pa të drejtë, thjesht ka shpallur Kongresin vetë. Kush je ti që shpall Kongresin vetë, i mbledh anëtarët vetë, i mbledh delegatët vetë, e cakton datën vetë edhe kandidon vetë?! Nuk e mbylla, duhet t’i kesh mbledhur të gjitha firmat, duhet të kesh një mocion, duhet ta dorëzosh në Kryesinë e PD-së, Këshillin Kombëtar të PD-së, qëllimin e mocionit që ke, duhet t’i verifikojë Partia Demokratike ato që ke mbledhur. Ata tre ditë kanë kohë. Nëse nuk e dorëzojnë dokumentacionin.”- u shpreh ai.

Akuzat ndaj Berishës, Haklaj i intensifikoi duke thënë se familja e tij është një “familje mafioze”, duke e krahasuar me familjet mafioze italiane Gambino në Amerikë dhe Cosa Nostra në Itali./Hashtag.al