Vendosni fjalën kyçe....

“Koha jote ka mbaruar” – Berisha i përgjigjet Bashës nga Pogradeci: Gabimi më i madh i jetës sime që s’garova me ty për PD-në


Ish-kryeministri po zhvillon këtë të martë foltoren e radhës në Pogradec. Gjatë takimit me demokratët, Berisha iu përgjigj kryedemokratit Lulzim Basha, pas deklaratave të këtij të fundit se “koha e Sali Berishës ka mbaruar”, duke thënë se nuk mund të flasë për kohën një njeri që nuk ka pasur kurrë kohë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha pranoi si gabimin më të madh të jetës së tij faktin që në 2017-tën nuk doli në garë për shpëtimin e PD-së.

“Pasi udhëhoqi PD-në nga disfata në disfatë zgjodhi të shkëputet përfundimisht nga ju, ndërpreu çdo kontakt me ju, komunikon me 4 muret, nuk njeh ligj nuk njeh statut. Sillet sikur të kishte ardhur nga Koreja e Veriut dhe jo një i ri shqiptar i ardhur nga një vend Perëndimor. Pas një dhunimi flagrant të Statutit dhe shkelmimit flagrant të forumeve të partisë, pas shkëputjes totale nga anëtarësia e partisë, vetëm e vetëm se nuk është vetja e tij, dhe për këtë nuk keni përgjegjësi ju, përveç vetes së tij.

Në vend të dorëheqjes vazhdon zbaton urdhra si peng. Njëherë thotë se për mua nuk ka forume, nuk ka Statut, nuk ka Kuvend. Njëherë tjetër deklaron se kanë ikur kohërat. Por një njeri që nuk ka pasur kohë kurrë nuk mund të flasë për kohën. Por që te flasësh për kohën duhet të kesh kohë. Është një gabim i madh i jetës time kur në vitin 2017 i kërkova dorëheqjen për humbjen poshtëruese, duhet të dilja në garë dhe të shpëtonim PD-në nga një njeri që nuk e meritoi kurrë drejtimin e saj. Nuk është një nismë për interesa personale. Ata që besuan një gjë të tillë mashtrojnë veten e tyre.”- tha Berisha.