Vendosni fjalën kyçe....

“Luftë hibride”  – Polonia dërgon mijëra trupa në kufirin me Bjellorusinë teksa emigrantët mësyjnë telat me gjemba (Video)


Varshava ka akuzuar emigrantët, kryesisht nga Lindja e Mesme, që përpiqen të kalojnë nga Bjellorusia se kanë shkatërruar pengesat në kufirin mes dy vendeve, ndërsa presidenti polak është duke u lidhur me disa ish-republika sovjetike për të ‘mbrojtur Evropën’.

“Kemi të bëjmë me shkatërrim të organizuar të fortifikimeve kufitare”, shkroi në Twitter zyra e kryeministrit polak të hënën pasdite, së bashku me pamjet ajrore të kufirit Poloni-Bjellorusi.

“Ka gjithashtu sulme të drejtpërdrejta ndaj oficerëve të Gardës Kufitare polake, policisë dhe ushtarëve.” – vijoi mesazhi.

Qindra emigrantë kanë ngritur kampe përgjatë kufirit, duke kërkuar të hyjnë në Poloni e prej këtej më pas në vendet e tjera të BE-së. Videoja tregon disa prej tyre duke përdorur pemë të prera për të kapërcyer hendekun përgjatë kufirit dhe për të thyer gardhin me tela me gjemba, ndërsa policia polake dhe rojet kufitare rreshtohen në anën tjetër.

Rreth 12,000 trupa polake thuhet se janë dërguar në kufi për të ndaluar atë që Varshava e ka quajtur një ‘sulm hibrid’ nga Bjellorusia. Qeveria në Minsk tha në qershor se sanksionet e BE-së kundër Bjellorusisë ishin një formë e luftës hibride dhe se nuk do të pengonte më emigrantët e vendeve të treta që të përpiqeshin të kalonin.

Polonia ka kontaktuar si Brukselin ashtu edhe NATO-n, duke e përshkruar situatën kufitare si një pushtim. Presidenti Andrzej Duda shkroi të hënën në Tëitter se zhvilloi bisedime me presidentët e Lituanisë, Letonisë, Estonisë, por edhe Ukrainës dhe Gjeorgjisë, të gjitha ish-republika sovjetike, duke i falënderuar ata për ‘mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre të plotë’.

“Duke mbrojtur kufijtë tanë, ne mbrojmë Evropën.” – tha Duda.

Ndërkohë SHBA-ja e BE-ja kanë akuzuar Bjellorusinë se po favorizon trafikimin e emigrantëve në vendin e saj, duke shkaktuar tensione në kufijtë mes dy vendeve me emigrantët e paligjshëm që përpiqen të futen ne Poloni me Brukselin që kërkon sanksione shtesë ndaj Minskut zyrtar.

Ky i fundit i ka hedhur poshtë akuzat se po lehtëson apo nxit trafikimin e emigrantëve drejt vendeve të BE-së.