Vendosni fjalën kyçe....

Mbledhja sekrete/ Bosët e qumështit pranojnë përzierjen me pluhur. ‘Ekonomia’ fshehu konsultimin e mbuloi mashtruesit


Nga Adriatik Doçi

Pronarët e fabrikave të qumështit pranuan përzierjen me qumështin pluhur në një mbledhje që u mbajt sekret në Komisionin e Ekonomisë. Deputeti Erion Braçe denoncoi se tregtarët mashtrojnë me etiketën duke e paraqitur produktin si 100 % natyral dhe rrjepin shtetin me TVSH. Dyshime për falsifikime dhe zhdukje dokumentesh. Çështja e qumështit pluhur doli në pah gjatë lobimit të pronarëve për të hequr taksën 100 lekë/kg. Mbi 1 mijë ton qumësht pluhur futet çdo vit në Shqipëri.

Paraditen e 2 nëntorit 2021, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u paraqit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për të prezantuar parashikimet e paketës së re fiskale, e cila do të shoqërojë buxhetin e vitit 2022.

Përpos të tjerave, ministrja tha se ishte parashikuar edhe një taksë për qumështin pluhur që futet në Shqipëri, 100 lekë për litër, për të mbështetur prodhimin vendas dhe fermerët shqiptarë.

“Futen 1 mijë ton qumësht pluhur në vit, referuar vitit 2019, pasi viti 2020 ka qenë vit pandemik. Me taksën 100 lekë për litër, futen në buxhet rreth 100 milionë lekë në vit.” – tha ministrja.

Sasia e madhe e qumështit pluhur që futet në Shqipëri tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve dhe opinionit publik, pasi pothuajse të gjitha fabrikat e përpunimit të qumështit, të cilat shesin qumësht, kos, djathtë etj., në etiketë e prezantojnë produktin si 100 % natyral.

Kur deputeti socialist Erion Braçe e pyeti ministren nëse ishte konsultuar me gupet e interesit ky propozim, ajo u përgjigj me ‘po’. Por, pohimi i saj u përgënjeshtrua pas disa minutash nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi.

“Duhet të konsultohemi patjetër me grupet e interesit. Jemi në kohë për të parë se çfarë mund të reflektojmë dhe ndryshojmë brenda paketës, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Do të duhet një analizë e plotë për efektet qoftë për tregun e qumështit dhe nënprodukteve të tij, qoftë edhe të produkteve bujqësore. Ka disa shqetësime nga grupet e interesit që këto masa mund të mos shtynë drejt formalitetit, por përkundrazi…”, tha Shalsi.

Pronarët e fabrikave të qumështit dhe nënprodukteve të tij duket se kishin nisur ndërkohë në prapaskenë lobimin intensiv për të rrëzuar propozimin e qeverisë për taksën për qumështin pluhur. Ata kishin përgatitur një material me kundërshtimet e tyre që në datën 1 nëntor 2021. Dhe ky lobimi jo transparent rezulton efektiv në interesin e tyre, pasi taksa u hoq pa asnjë shpjegim.

Në projektligjin e dërguar nga qeveria në Kuvend për taksat kombëtare reflektohet tërheqja nga taksa për qumështin pluhur. Në nismën ligjore për taksat e reja, është shtuar një nen që mban numrin 4 dhe parashikon që “Përjashtohen nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, taksës për hirrë qumështi dhe taksës për krem qumështi fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit”.

VINI RE: Ky materal është pronësi intelektuale e Shqiptarja