Vendosni fjalën kyçe....

Senatorja republikane pyetet për shpalljen e Berishës “non grata”: Ne jemi totalisht kundër korrupsionit


Senatorja amerikane Joni Ernst, e cila prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri, ka folur në një intervistë televizive lidhur me këtë vizitë të sajën në vendin tonë, ku mes të tjerash është ndalur edhe tek shpallja non-grata e ish-kryeministrit Sali Berisha.

E pyetur lidhur me këtë çështje, senatorja Ernst u shpreh se SHBA është totalisht kundër korrupsionit dhe u kërkon politikanëve shqiptarë që ta çrrënjosin atë.

“Në maj, Sekretari amerikan i Shtetit shpalli publikisht ‘non grata’ ish-kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, i cili e ka paditur zotin Blinken në një gjykatë të Parisit me pretendimin se mungojnë provat për akuzat ndaj tij. Paralelisht, forca kryesore opozitare është në krizë, pasi Berisha kërkon largimin e Lulzim Bashës pas përjashtimit nga grupi parlamentar, pse jo dhe rimarrjen e drejtimit të partisë që themeloi 30 vite më parë. Si do ta komentonit këtë zhvillim?”- ishte pyetja që iu drejtua senatores nga gazetari i A2 CNN, Ervin Koçi.

Kësaj pyetjeje Ernst iu përgjigj: “Është disi e vështirë tani në spektrin politik shqiptar. Shikoni Shtetet e Bashkuara. Edhe ne kemi ndasitë tona politike, por në SHBA kemi gjetur rrugë për të bashkëpunuar e kapërcyer ndasitë dhe është e rëndësishme për të gjetur atë çka na bashkon si një komb, si parti politike, se sa të vazhdojmë përçarjen. Unë inkurajoj këtë si një zgjidhje që vjen nga Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme për të luftuar korrupsionin, kudo që ai mund të vijë. Ne jemi totalisht kundër korrupsionit, por partitë politike duhet gjithashtu të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar në të mirë të Shqipërisë. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme.

Të gjithë kemi këndvështrime të ndryshme politike, por pjesa e rëndësishme është të gjejmë se çfarë na bashkon, në mënyrë që të ecim përpara në drejtimin e duhur, drejtim të cilin vendi juaj e gjeti 30 vite më parë. Kështu që, është e rëndësishme që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të punojnë së bashku për këto çështje.”