Ashtu si ditën e djeshme, kreu i PD-së e ka nisur mëngjesin me mesazhin për vettingun në politikë.
Basha shkruan në rrjetet sociale se Shqipëria është vendi më i varfër në Europë sepse është më i korruptuari.
Kryedemokrati thekson se vettingu në politikë do pastrojë politikën nga të gjithë ata që kanë keqpërdorur besimin e qytetarëve duke pasuruar veten e një grusht të vogël njerëzish.
“Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, sepse është vendi më i korruptuar i Europës. Një mijë e një hallet e njerëzve që rropaten për një jetë më të mirë, e sipërmarrësve që luftojnë për të mbijetuar në një ekonomi jo konkurruese, e të moshuarve të ndrydhur nga pensioni i pamjaftueshëm, i të rinjve që ëndrrat i kanë çdo ditë e më shumë larg Shqipërisë, janë një thirrje për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, për ta pastruar politikën nga të gjithë ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve, duke pasuruar veten dhe një grusht të vogël njerëzish.” – shkruan Basha në Twitter.