Vendosni fjalën kyçe....

BERZH: Shqipërisë po i largohen personat me aftësi teknologjike


Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina janë dy shtetet e Ballkanit Perëndimor që po vuajnë më shumë nga largimi domethënës i profesionistëve me aftësi teknologjike, sipas një raporti të fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të titulluar Raporti i Tranzicionit 2021-’22 i cili përqendrohet në tendencat e dixhitalizimit.

Sipas BERZH, mesatarisht 1.5% e njerëzve në rajonet e BERZH, që kanë listuar disa aftësi teknologjike në profilin e tyre, janë larguar jashtë në vitin 2019. Megjithëse kërkesat për këto aftësi mund të jenë të larta në vendet në zhvillim, firmat në ekonomitë e përparuara mund të ofrojnë paga shumë më të larta, vëren raporti.

Sipas grafikëve të raportit, Shqipëria renditet ndër vendet e rajonit të BERZH që ka peshën më të ulët të ekspertëve dhe profesionistëve të teknologjisë së informacionit në raport me totalin e të punësuarve, që i referohen vitit 2019, me më pak se 1% të totalit, nga 3% që është mesatarja e ekonomive të zhvilluara.

Ndryshe nga vendet e zhvilluara, në Shqipëri, dominojnë sektorët me intensitet të ulët dhe të mesëm të dixhitalizimit, duke përbërë rreth 70% të punësimit në 2019.

Mundësitë dixhitale, përparimin më të madh e ka bërë shteti

Raporti rendit shtetet e rajonit të BERZH dhe të tjera të zhvilluara sipas treguesit të mundësive dixhitale për vitin 2020, duke e krahasuar me 2015-n. Shqipëria, për vitin 2020, e ka këtë tregues 65.4, duke u renditur më mirë se Maqedonia e Veriut (59.3), Mali i Zi (58.5) dhe Bosnjë-Hercegovina (45.2). Më mirë në rajon është Serbia (68).  Listën e kryesojnë Shtetet e Bashkuara, ku treguesi i mundësive dixhitale është 95.4.

Në krahasim me vitin 2015, kur treguesi ishte 46 pikë, Shqipëria ka bërë progres. Përmirësimi më i madh është në shërbimet e qeverisë (nga 44.1 pikë në 83 pikë), në nivele të ngjashme me shtetet me ekonomi të përparuara.

Më dobët treguesi është për  infrastrukturën (55.6 pikë, nga 44.1 pikë në 2015-n) dhe aftësitë, që pothuajse nuk kanë ndryshuar fare në krahasim me pesë vite më parë (nga 55.7 në 55.8). Treguesi i rregullimit të tregut është përmirësuar nga 40.6 në 67.2.

Vendi ynë renditet më dobët në dixhitalizimin e individëve (20.4), në raport me atë të formave (51.4). sipas raportit, niveli i dixhitalizimit është i ngjashëm me atë të zhvillimit të vendeve. Niveli i ulët i dixhitalizimit të njerëzve është dhe një nga faktorët që pengon përdorimin e teknologjive dixhitale.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al