Vendosni fjalën kyçe....

Endri Hasa publikon videon: Vangjush Dako edhe non grata, edhe bankomat i Ramës për blerje votash, dy gjëra janë urgjente sot


Ish-deputeti i PD-së, Endri Hasa ka publikuar një video në “Facebook” ku shprehet se është dëshmuar publikisht se Vangjush Dako ka blerë vota për PS-në edhe në këto zgjedhje.

Ai i referohet deklaratave të bëra dy ditë më parë për “Syri TV” nga nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Arbri Braho.

“Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Arbri Braho, dëshmoi publikisht se Vangjush Dako ka blerë vota për Edi Ramën edhe në këto zgjedhje. Vangjush Dako u shpall non grata nga SHBA, por, de facto, drejton Bashkinë e Durrësit, në bashkëpunim me Edi Ramën. Ndiqni një pjesë të dëshmisë së nënkryetarit socialist të Bashkisë. Nga dëshmia e tij, konfirmohet ajo që të gjtihë e dinë në Durrës se Vangjush Dako, në cilësinë e bankomatit të Edi Ramës, përcakton kush merr cilin tender në Bashkinë e Durrësit.”- shkruan Hasa.

Në reagimin e tij, Hasa shprehet se dy gjëra janë urgjente për t’u realizuar, Vettingu në Politikë dhe nisja e hetimeve nga SPAK për blerjen e zgjedhjeve.

“Dy gjëra janë urgjente sot.

  1. Miratimi i vettingut në politikë për të pastruar politikën nga korrupsioni dhe politikanët e lidhur me krimin.
  2. SPAK të nisë hetimet për blerjen e zgjedhjeve nga Vangjush Dako, për korrupsion dhe ndërhyrje në tendera, bazuar në deklaratën e nënkryetarit socialist të Bashkisë së Durrësit.

Është rasti për t’u treguar të pavarur dhe për të justifikuar miliona euro të shpenzuara nga aleatët tanë për një drejtësi që lufton korrupsionin, edhe kur ky çon tek kryeministri.”– vijon deklarata e Hasës.