Vendosni fjalën kyçe....

“FITUAM” – Banorët e Zall-Gjocajt fitojnë gjyqin ndaj Entit Rregullator të Energjisë, HEC-i nuk do të ndërtohet


Banorët e Zall Gjocajt kanë fituar sot gjyqin ndaj Entit Rregullator të Energjisë. Gjykata e Apelit la vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, e cila i hoqi licencën kompanisë “Seka Hydropower” për prodhim energji përmes hidrocentralit “Zajs”, që shfrytëzon ujin e lumit Flim, brenda Parkut Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës”.

Prej tre vitesh tashmë banorët e kësaj zone kanë protestuar që të ndalohet ndërtimi i HEC-eve në zonën që ishte planifikuar.

Aktivistët dhe banorët e Zall-Gjoçajt, të cilët prisnin përballë dyerve të gjykatës prej orës tetë të mëngjesit të sotëm, nisën të përqafoheshin kur morën vesh vendimin e gjykatës.

“Sot gjykata Administrative lë në fuqi vendimin e gjykatës së parë, mundi i djersës të gjithë atyre viteve u bë realitet.”- tha njëri prej tyre.

Lidhur me këtë lajm ka reaguar edhe pedagogu dhe aktivisti i njohur Ervin Goci, i cili shkruan në një postim në “Facebook” se sot fitoi rezistenca disa vjeçare.

 “Komunitare… nuk është nevoja të kesh ndonjë status juridik për të ditur se çfarë të përket… po të mos ishin këto qytetarë kurajozë, Parkut të Zall Gjocajt do ia shqyenin kockat edhe më… Sot fitoi rezistenca disa vjeçare…”- shkruan Goci.

Dy ditë më parë, aktivistët vendosën një banderolë përpara Gjykatës së Apelit Administrativ, me një mesazh ku kërkonin drejtësi dhe mbrojtjen e Parkut Kombëtar Zall Gjoçajt.