Vendosni fjalën kyçe....

Hetimi për inceneratorët, PD: U kemi dërguar institucioneve 12 kërkesa që zbardhin aferën korruptive


Këtë të mërkurë, në mbledhjen e Komisionit hetimor për trajtimin e mbetjeve urbane, Partia Demokratike ka parashtruar 12 kërkesa që do të mund të zbardhin atë që cilësohet nga demokratët si “afera korruptive që i vjedh shqiptarëve 400 milionë euro” duke iu referuar aferave të inceneratorëve.

Kërkesat i janë dërguar 12-institucioneve të ndryshme, duke filluar nga Ministria e Financave për të vazhduar me Ministrinë e Mjedisit, atë të Infrastrukturës e deri tek bashkitë ku ushtrojnë aktivitet inceneratorët, si dhe banka të nivelit të dytë

NJOFTIMI I PD-së

Komisioni Hetimor për incineratorët ka dërguar 12 kërkesa për hetimin e aferës që u merr shqiptarëve rreth 400 milionë euro për llogari të kompanive, të regjistruara në parajsa fiskale dhe me lidhje me ministra, kryebashkiakë dhe politikanë të lartë të partisë në pushtet.

Kryetarja e Komisionit Jorida Tabaku i ka dërguar kërkesat që nga Këshilli i Ministrave, Ministritë e Financave, Ministrinë e Mjedisit, atë të Infrastrukturës e Mjedisit, te Kontrolli i Lartë i Shtetit, bashkitë ku veprojnë incineratorët, përfshirë bashkitë e Durrësit dhe Kavajës, disa drejtori që mund të zbardhin lëvizjet e parave për incineratorët, lëvizjet e disa zyrtarëve me administratorët e incineratorëve, lidhjet e mëparshme të biznesit mes pronarëve të kompanive përfituese dhe ministrave të qeverisë së Edi Ramës.

Kërkesa u janë drejtuar edhe bankave të nivelit të dytë, si dhe vetë kompanive përfituese të incineratorëve, që, pavarësisht emrave të ndryshëm të kompanive, janë përqëndruar tek 3 persona: Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stella Gugallja.

Pas një pune disavjeçare me hetimin e aferës së incineratorëve, Kryetarja e Komisionit Hetimor Jorida Tabaku, ka detajuar me pyetje dhe kërkesa konkrete çdo çështje dhe akt që zbardh një nga aferat më të mëdha korruptive të qeverisë së Edi Ramës.