Vendosni fjalën kyçe....

Iris Luarasi dërgon në Kuvend projektligjin: Një regjistër për abuzuesit seksualë


Ditën e sotme pedagogia Iris Luarasi ka dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit një projekt-ligj që identifikon në një regjistër online të gjithë personat që kanë kryer krime seksuale.

Ajo shprehet se për këtë kanë firmosur plot 22 mijë qytetarë, ndërsa shpreh falenderime për të gjithë aktivistët që punuan për ta arritur këtë.

“Sot dorëzuam në parlament projektligjin për krijimin e regjistrit kombëtar për autorët e veprave me natyrë seksuale. Kjo është nisma e parë që vjen me 22 mijë firma qytetarësh e certifikuar nga KQZ pas miratimit të ligjit për nismën ligjvënëse të zgjedhësve. Mirënjohëse pa fund për gjithë aktivistët, çunat, gocat dhe 28 organizatat e shoqërisë civile që u bënë bashkë për një inisiativë të tillë. #TiNukJeVetëm.”– shkruan Luarasi.

Në këtë regjistër, do të regjistrohen me emër dhe mbiemër të gjithë abuzuesit seksualë që kanë marrë vendim të formës përfundimtare nga gjykata.

Pothuaj gjithë nëntori është muaji i fjongos blu që nënkupton ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj fëmijëve dhe të drejtave të tyre. Por pikërisht në këtë muaj, janë zbuluar disa raste të rënda të ngacmimit seksual të të miturve, siç ishte rasti i shkollës 9-vjeçare të Stropcës në Pogradec, ku drejtori i shkollës i dërgonte mesazhe me përmbajtje erotike dy nxënëseve minorene.