Vendosni fjalën kyçe....

Paralajmërimi i ambasadores Kim: Mund të ketë të tjerë persona non-grata në Shqipëri


Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka folur sot një një intervistë për “Top Channel” lidhur me disa çështje të nxehta për politikën dhe drejtësinë në Shqipëri, ku ka paralajmëruar se përveç ish-kryeministrit Sali Berisha mund të ketë të tjerë persona që do të shpallen “non-grata” nga SHBA.

Ajo theksoi se presidenti amerikan Joe Biden e ka bërë shumë të qartë se korrupsioni është një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare.

“Nuk është mister. Faktet janë përpara syve. Ndaj ne jemi shumë të bindur me shpalljet tona dhe duhet t’ju them që Presidenti Biden e ka bërë shumë të qartë përmes disa prej Urdhrave Ekzekutivë të tij dhe një Proklamate Presidenciale në qershor që, për Shtetet e Bashkuara, korrupsioni është një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Duam që partnerët dhe aleatët tanë si Shqipëria të jenë të fortë dhe të sigurt, të jenë demokraci të vërteta. Korrupsioni është pengesë për këtë. Ndaj, nëse pyetja tjetër e juaja do të jetë ‘A do ketë shpallje të tjera?’, të shohim, besoj se do të ketë dhe ne do të vazhdojmë të tregojmë me gisht ata që përfshihen në korrupsion, ata që minojnë demokracinë në këtë vend, të cilin e konsiderojmë mik të ngushtë. Nuk do t’ju braktisim. Kemi bërë rrugë tepër të gjatë. Shtetet e Bashkuara kanë investuar së tepërmi dhe Qeveria Amerikane kujdeset aq sa të mos ta lërë mënjanë këtë.”-është shprehur zonja Kim.

Më pas Kim u shpreh se shpallja non-grata është një proces “shumë i mbyllur”, pra shumë konfidencial dhe në këtë moment nuk ka ndonjë informacion më tepër që mund ta ndajë.