Vendosni fjalën kyçe....

Rama në konferencë të përbashkët me Rutte: Iu desh që të fitonte 4 palë zgjedhje që të vinte në Shqipëri


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë të përbashkët për mediet me homologun e tij holandez Mark Rutte, i cili sot ndodhet në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij hyrëse, Rama tha se kjo është vizita më e veçantë e miqve, duke thënë se vjen në një kohë të veçantë.

 “Mirëdita të gjithëve,

Të gjitha vizitat e miqve dhe të partnerëve tanë në Tiranë janë momente të veçanta, por pa ekzagjerim do thosha se ky është një moment shumë i veçantë, që kemi sot në Tiranë, më në fund pas një kohe të gjatë qysh kur unë pata nderin të jem i pranishëm në zyrën e tij në Hagë ku u mikprita si të isha në shtëpinë time. Sot kryeministri Mark Rutte është në Tiranë, iu desh të fitonte 4 palë zgjedhje që të vinte në Shqipëri dhe është vërtet një kënaqësi sepse përveçse është sot në Tiranë, kjo ndodh në një moment shumë pozitiv në marrëdhëniet tona, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe mbretërisë së Hollandës dhe në marrëdhëniet tona mes dy qeverive, ku siç e dini Hollanda e ka mbështetur hapur hedhjen e hapit të mëtejshëm për Shqipërinë dhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Kjo marrëdhënie shkon përtej procesit tonë të integrimit. Kremtuam 50 vite marrëdhënie diplomatike me Holandën. Kemi vazhdimësi marrëdhënie pune pozitive dhe impakti i Holandës në Shqipëri rritet vit pas viti, nga një anë përmes projekteve dhe mbështetjes që marrin për to. Kemi folur me kryeministrin për bashkëpuni8min për sigurinë, krimit të organizuar dhe jemi të bindur se progresin i bërë do të rritet, si pasojë e rritjes së kapaciteteve të vëna në dispozicion për këtë bashkëpunim. Kemi folur dhe për mundësinë që Holanda të mbështesë një përafrim të universiteteve tona me ato europiane.

Kemi folur për një qasje më të hapur ndaj të rinjve në zonat rurale për t’i përfshirë në programe të mëtejshme. Kemi folur edhe për momentin ku jemi e dimë se Franca, Holanda, Gjermania, e të gjithë janë gati të ulen me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, por duhet zgjidhur ngërçi i krijuar nga veto bullgare. E falënderoj mikun tim Mark për komunikimin e tij personal me palën bullgare. Kënaqësi dhe duket edhe nga sa mundëm deri tani ta shprehim mikpritjen me mirëseardhjen. Ky është një vend që ka shumë ndjekës e tifozë të kombëtares holandeze dhe që sot janë shumë të lumtur që kanë flamurin e Holandës të varur kudo. Duket se e fituat kupën e Botës këtu në Tiranë të paktën.”– tha Rama.