Dy persona janë arrestuar në Portin e Durrësit pasi tentuan të fusnin në Shqipëri rreth 70 mijë euro të padeklaruara.
Shtetasi A.Th 61 vjeç shoferi i autobusit dhe shtetasi V.E 50-vjeç banues në Elbasan, kishin fshehur në tavanin e autobusit 66 mijë e 40 euro.
“Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës kishte marrë informacion në rrugë operative për një sasi eurosh që mund të futeshin në rrugë të paligjshme nëpërmjet Portit të Durrësit. Bazuar në këtë informacion në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare dhe autoritetet doganore, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga ana e shënimeve të Policisë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm një autobus, me drejtues shtetasit V. E., dhe A. Th.
Gjatë kontrollit të kryer në tavanin e autobusit, shërbimet e Policisë konstatuan 66 040 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, shtetasit V. E., 50 vjeç banues në Elbasan dhe A. Th., 61 vjeç, banues në Tiranë (shofer të autobusit).
Strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë vepër penale”-njofton policia.