Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Djegia e mandateve e moshyrja në zgjedhjet lokale u kërkuan me ngulm nga Berisha


Kreu i PD-së, Basha, ka zbuluar mbrëmjen e sotme se vendimet për djegien e mandateve e moshyrjen në zgjedhjet lokale të qershorit 2019 janë kërkuar me ngulm nga Sali Berisha.

Gjatë një interviste me gazetarin Robert Rakipllari në News24, kryedemokrati tha gjithashtu se kishte përgjegjësi për lejimin  e njëfarë dualizmi në PD dhe se vendimet në fjalë janë marrë në konsultim me të gjitha forumet e partisë.

“Gjatë këtyre viteve, ekspertë dhe kompani të specializuara të fushatave  elektorale në bazë të studimeve të tyre kanë rekomanduar vazhdimisht moskandidimin e Sali Berishës në raport me interesat elektorale  me Partinë Demokratike. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se gjerësisht perceptohej një dualizëm në Partinë Demokratike. Protagonizmi  i Sali Berishës merrte trajtat nga ana  e perceptimit publik të një dualizmi në vendimmarrjen e Partisë Demokratike. Sigurisht kam edhe unë përgjegjësitë e mia. Ai  duhet të ishte larguar vetë, duhet të kishte lënë Partinë Demokratike, kryetarin e zgjedhur të hapnin rrugën e re që hap çdo parti e re në opozitë, por edhe unë kam përgjegjësitë e mia në lejimin e këtij dualizmi. Për vendimet që janë marrë mund t’ju them fare qartë dhe këto janë të arkivuara dhe mund të nxirren nga çdo arkivë mediatike që janë vendime të konsultuara me të gjitha forumet e Partisë Demokratike dhe në rastin e vendimeve që ju përmendët vendime të kërkuara me ngulm nga Sali Berisha.” – tha Basha.