Vendosni fjalën kyçe....

Berisha nga Saranda: Basha e formësoi PD-në si parti e qendrës së majtë, të shkojë t’i kontrollojë te Paloka 4200 firmat


Ish-kryeministri Berisha ka deklaruar nga foltorja e Sarandës se kryeministri Rama nuk do i lajë duart kurrë me PD-në edhe pse ka festuar para kohe se ka marrë peng PD-në e pluralizmin në vend.

Ai e akuzoi kreun e qeverisë se Rama ka nxjerrë në treg kufijtë e Kosovës e të Shqipërisë duke paralajmëruar se regjimi i narkoshtetit të tij do çmontohet.

“Edi Rama festoi para kohë marrjen peng të pluralizimit. Ai mendoi se i lau duart me PD-në dhe se tani do të mund të vendoste çdo gjë në këtë vend, pasi regjistroi rekordet më të zeza, shndërroi Shqipërinë në delen e zezë të Ballkanit dhe të Europës. Ai nxori në treg kufijtë e Kosovës dhe jo më pak të Shqipërisë, Rama u gabua shumë rëndë sepse llogariti peng kryetarin dhe nuk ju llogariti ju që nuk shiteni dhe nuk bliheni që nuk i nënshtroheni. Foltorja është pa asnjë diskutim mrekullia më e madhe e viteve të fundit. Tashmë jeni ju në mbështetje të vlerave të lirisë. Garantoj se ne që çmontuam sistemin komunist ne do të çmontojmë narkoshtetin shqiptar.” – tha Berisha.

Më tej ai iu kthye kreut të PD-së Basha duke e quajtur atë një lider të thyer që nuk mund ta drejtojë më PD-në. Po kështu ai e akuzoi Bashën se i ka dhënë partisë një formë të qendrës së majtë.

“O peng kryetar ti do shohësh çdo fletë, shko merri dhe kontrolloi të 4200, ke zero tagër për to. Ato janë depozituar në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar. Mund të shkoni aty t’i lexoni. Ne ato nuk i publikojmë sepse ka një ligj, ne miratuam ligjin e garantimit të të dhënave personale. Kush të dojë do t’i shohë, por ata kanë tmerr prej tyre. Edi Rama nuk është një pushtet legjitim, le t’i dalë zot kush të dojë. Ne kurrë nuk do të pranojmë ato që u pranuan në zgjedhjet e 25 prillit, nuk do të pranojmë sistemin e patronazhistëve. Ne kurrë nuk do të pranojmë grabitjen e votës. Le ta bëjmë të qartë se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka.” – shtoi Berisha.