Vendosni fjalën kyçe....

Dështon mocioni i mosbesimit në Maqedoninë e Veriut, qeveria e Zaevit do të vijojë punën


Ka dështuar mocioni i mosbesimit në Maqedoninë e Veriut. Sikurse shkruajnë mediet lokale, qeveria e Zoran Zaev do të vijojë punën.

Dhe kjo nuk u vendos përmes votës fare, pasi as nuk u kalua në votim.
Mbrëmë para mesnate kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, me arsyetimin se për shkak të mungesës së kuorumit, tha se nuk është hapur rendi i ditës dhe si rrjedhojë nuk mund të hapet debat për votim të besimit të Qeverisë.

Paraprakisht, pas paqartësisë dhe ditës së bujshme, deputetët nga opozita u larguan nga parlamenti, por deklaruan se nuk e tërheqin nismën dhe kërkuan zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare për dalje nga kriza politike.

 “Për shkak se nuk është hapur rendi i ditës nuk mund të hapet debat për votim të mosbesimit të Qeverisë. Konstatojmë se Qeverisë nuk i është votuar mosbesimi dhe në bazë të kësaj Qeveria vazhdon me përbërjen e plotë dhe me detyrat që i ka. Mbledhja për votim të besimit të Qeverisë ka përfunduar.”- deklaroi mbrëmë Xhaferi, citon Zhurnal.

Sipas procedurave të Rregullores, Xhaferi sqaroi se prej momentit të çështjes për besim të Qeverisë, Kuvendi ka të drejtë në ditën e tretë të debatit për çështjen e besimit të Qeverisë, parashtruar nga opozita me 61 nënshkrime.

“Duke e pasur parasysh se ata nuk patëm kuorum për qëllimin për të cilin ishte parashtruar kjo çështje rendi i ditës nuk është votuar për arsye se nuk është hapur rendi i ditës nuk mund të hapet debat për votim të mosbesimit të Qeverisë.

Konstatojmë se Qeverisë nuk i është votuar mosbesim dhe në bazë të kësaj Qeveria vazhdon në përbërje të plotë dhe me detyrat që i ka. Konstatoj se materia e paraparë për këtë mbledhje është shterur dhe e përmbyll këtë mbledhje dhe konstatoj se mbledhja ka përfunduar. Qeverisë i dëshiroj sukses në ditët në vijim që i ka pushteti ekzekutiv.”- u shpreh Xhaferi.

Në mbledhje, mbrëmë ishin të pranishëm vetëm përfaqësuesit e Qeverisë së kryesuar nga Zoran Zaevi.