Mesditën e sotme fermerët e zonës së Myzeqesë kanë dalë për të protestuar në rotondon e Plugut duke kundërshtuar paketën e re fiskale për vendosjen e 10% të TVSH-së për imputet bujqësore, në një kohë që çmimi i tyre është rritur nga kriza energjitike globale.
Ndërkohë, policia zbarkoi në terren me forca të shumta duke blinduar zonën. Mësohet se janë rreth 100 forca të policisë së shtetit dhe FNSH-së që kanë zbarkuar në hyrje të autostradës Lushnjë –Tiranë.
Fermerët e kësaj zone i kërkojnë qeverisë që të japë subvencionet, ndërsa theksojnë se prodhimet e tyre nuk po shiten.
“S’kemi marrë asnjë subvencion, çmimet janë rritur, malli nuk shitet po i hedhim gjitha në plehra. Kemi 30 vite që merremi me bujqësi, asgjë nuk po shitet.”- tha një grua fermere për FaxNews.
Një tjetër fermer që ka investuar në këtë zonë thotë se do të mbyllë aktivitetin e tij dhe do të rikthehet sërish në emigrim pasi qeveria nuk i ka përkrahur ata, duke i lënë me borxhe nëpër banka.
“Ne kemi ardhur nga emigrimi kemi investuar dhe po mendojmë të ikim sërish në emigrim, jemi të zhgënjyer qeveria nuk na jep subvencione. Jemi ne borxhe në bankë. Emrat kanë dalë që jemi fitues të subvencione por nuk kemi marrë asnjë lekë. Shteti t’i japë zgjidhje.”- u shpreh fermeri.
Në një moment, fermerët kanë arritur që të thyejnë kordonin e policisë dhe janë ulur në mes të rrugës duke bllokuar qarkullimin.
“Keni afat deri pasnesër për të reaguar për të na dhënë subvencione, në të kundërt do të bllokojmë plotësisht rrugën nacionale Lushnje – Tiranë.”- tha një fermer.
Pas kësaj, Policia ka shoqëruar në komisariat disa persona.