Qeveria shqiptare ka nënshkruar këtë të premte një marrëveshje me drejtoreshën Rajonale të ADF-së për Euro Azinë, Cecile Couprie.
Bëhet fjalë për një marrëveshje për mbështetjen e Sektorit të Energjisë. Në këtë takim, qeveria shqiptare përfaqësohej nga zv. kryeministri Arben Ahmetaj dhe ministrja e Financave Dalina Ibrahimaj.
Ahmetaj deklaroi se ky fond zhvillimi francez do të akordojë për Shqipërinë 60 milionë euro, që do të përdoren për rikonstruksionin e Ujësjellësit të Durrësit.
“Me agjencinë franceze kemi nisur që prej vitit të kaluar një bashkëpunim intensiv. Nga qershori 2020, kemi avancuar së bashku tre projekte të rëndësishme dy prej të cilave janë shuma buxhetore prej disa miliona eurosh. Projekti që jemi më familjar është në kuadër të rindërtimit. Ju më keni dëgjuar shpesh t’i referohem ndihmës franceze, që akordon 60 mln euro për rikonstruktimin e rrjetit të ujësjellësit në Durrës. Marrëveshja që nënshkruam sot vjen në një moment të rëndësishëm, sepse të gjitha vendet ndodhen në krizë energjetike. Shqipëria disponon një potencial të lartë të burimeve të rinovueshme.”– tha Ahmetaj.
Zv. Kryeministri tha se qeveria shqiptare do ia dalë zotimit që ka marrë për të mbrojtur biznesin e vogël dhe konsumatorët familjarë nga kriza energjitike, duke mos rritur çmimet për ta.
“Shumë vende s’ja kanë dalë ta bëjnë këtë. Vende që janë edhe pjesë e G7 si Italia apo vende të BE si Spanja e Greqia e Austria apo Polonia dhe Gjermania kanë rritur cmimet e të fundorëve pra familjeve. Ne kemi marrë zotim që të kemi siguri furnizimi një, të mbrojmë biznesin e vogël dy, pra pa ja rrit çmimet të mbrojmë familjarët tre, do vazhdojmë dhe do ia dalim.
Kjo është arritur falë vëmendjes së qeverisë, reformës në sektorin e energjitik punës së përditshmë të kompanive dhe inistrisë dhe mbështetjes së donatorëve.”– u shpreh Ahmetaj.