Vendosni fjalën kyçe....

Kunati dhe ish-truproja, kush janë dy të besuarit e biznesmenit Rezart Taçi që u arrestuan sot


Ish-bosi i naftës Rezart Taçi u shpall sot në kërkim nga SPAK dhe dy të tjerë u arrestuan, pasi dyshohen se janë të përfshirë në një skemë pastrimi të parave përmes firmave të naftës.

Dy personat e tjerë janë Artur Balla dhe Bledar Lilo. Siç shkruan “Shqiptarja.com”, i pari është kunati i tij dhe djali i gjyqtares së dorëhequr të Tiranës, Dhurata Balla, ndërsa i dyti është ish-truproja e tij dhe aksioner në disa kompani në Shqipëri.

Tre shqiptarët akuzohen për këto vepra penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

Pas hetimeve disamujore që SPAK kishte nisur në bashkëpunim me antimafian Italiane, vendosi të lëshonte tre urdhër-arreste. Në një njoftim për mediet, SPAK sqaronte se skema e pastrimit të parave përmes transaksioneve bankare bëhej në Shqipëri, Itali dhe Zvicër, ku Taçi dhe dy njerëzit e tij të besuar bashkëpunonin me 4 italianë për pastrimin e parave të krimit të Cosa Nostra-s.

SPAK thotë se Taçi bashkëpunonte në Itali me 90-vjeçarin Francesco Zummon dhe Fabio Petruzzella-n, të cilët janë dy nga italianët e arrestuar në Itali, si të përfshirë në skemën e pastrimit të parave, ndërsa janë në këkrim ende edhe dy italianët e tjerë I.Z. dhe D.C.  

Sipas SPAK skema e pastrimit të parave të krimit drejtohej nga shtetasit italian Francesco Zummo, 90 vjeç dhe I.Z., në bashkëpunim me ekonomistin Fabio Petruzzella dhe italianin tjetër D.C., të cilët pastronin paratë në Zvicër dhe Shqipëri. Në Shqipëri bashkëpunëtori i tyre ishte Rezart Taçi, i cili së bashku me 2 të besuarit e tij Artur Balla dhe Bledar Lilo, pastronin paratë përmes bizneseve të tyre në Shqipëri në sektorin e naftës.

Balla dhe Lilo akuzohen se kryenin transaksionet financiare përmes një banke të nivelit të dytë në Shqipëri vlera e së cilës përllogaritet dhjetëra miliona euro. Gjatë hetimeve, SPAK ka mbledhur prova se Taçi dhe dy njerëzit e tij do të merrnin përqindjen nga transaksionet e parave përmes një banke të nivelit të dytë në Shqipëri.