Vendosni fjalën kyçe....

“Kurrë s’ka pasur një propozim zyrtar nga Basha për mandate.” – Vasili e quan Bardhin “zëdhënës të pazarit” me Ramën


Debati për listën e përbashkët të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit vijon mes zyrtarëve të PD-së dhe LSI-së.

Pas deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, ka dalë në një deklaratë për mediet edhe Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, duke e konsideruar të parin një “zëdhënës të pazarit Rama-Basha”.

Vasili shprehet se nuk ka patur kurrë, qoftë dhe një propozim të vetëm zyrtar nga PD për mandate e numra mandatesh.

Gjatë fjalës së tij, Vasili tregon se si kreu i PD-së Lulzim Basha u bë pengesë e denoncimit të aferave korruptive nga LSI dhe nuk i mbështeti ato.

Deklarata e Petrit Vasilit:

Të nderuar qytetarë dhe qytetare, jemi këtu së bashku në këtë komunikim me vendimin e prerë për të mos heshtur më. Mediave shqiptare e rrugëve janë lëshuar thashethemaxhinj e zëdhënës të pazarit Rama-Basha për të përzierë e për të fshehur e për të krijuar alibi për këtë pazar, e duke dashur të zënë me gojë dhe LSI.

Në respekt të qytetarëve, mijëra qytetarëve opozitarë të cilët me ndershmëri deshën ndryshimin është momenti për të thënë të vërtetat e mëdha siç janë e për të mos heshtur më.

E vërteta e madhe është që s’ka pasur kurrë qoftë dhe një propozim të vetëm zyrtar nga partia e Lulzim Bashës për mandate, për numra mandatesh e gjëra të kësaj natyre.

Anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike janë aty, anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike janë aty, le të thonë a kanë parë ndonjë propozim të tillë?

E nëse ka një propozim të tillë zyrtar, këtë dokument le t’ja vënë në dispozicion mediave shqiptare që ta njohin por një dokument i tillë nuk ekziston dhe faqja e zezë për ata që mashtrojnë pasi kanë shitur interesat e opozitës ditën për diell.

Së dyti, një vendim shumë i rëndësishëm dhe shumë i rëndë siç qe djegia e mandateve ndodhi dhe LSI e mbështeti këtë vendim pas garancive mashtruese të mëdha për të ashtuquajturin plan gjerman për zgjedhje të parakohshme të paraqitur nga Lulzim Basha si një garanci totale për realizimin e këtij plani.

Por cila ishte e vërteta? Ky plan kishte vetëm garancinë e Edi Ramës për vazhdimin e kapjes së shtetit dhe në radhë për kapjen e pushtetit legjislativ dhe parlamentit shqiptar. Pra, e gjithë kjo aferë ishte thjesht dhe vetëm një mashtrim i poshtër.

Bojkotimi i pushtetit lokal, mbështetëm këtë veprim politik, se sërish u vu në tavolinë që plani gjerman vazhdon për zgjedhje të parakohshme dhe garancitë janë të mëdha. Në fakt ishte sërish një mashtrim tjetër i poshtër. Ky plan kishte vetëm miratimin e Edi Ramës dhe të asnjë ndërkombëtari në funksion të kapjes së pushtetit të fundit nga Edi Rama që ishte pushteti lokal.

Dhe këtu LSI përveçse mbështetjes luajale nuk bëri asgjë tjetër, ndërkohë që mashtruesit e planit Basha-Rama u vunë në funksionim të dorëzimit të të gjitha llojeve të pushteteve në Shqipëri e për të realizuar kapjen totale të shtetit në grusht në shkëmbim të interesave financiare tepër të rënda dhe të rëndësishme reciproke të të dyja palëve në këtë pazar.

Së treti, a ka pasur dakordësi me PD? Po, ka pasur dakordësi për të zhvilluar fushatë të përbashkët në funksion të maksimizimit të rezultatit të opozites në çdo qark të vendit. Kurrë nuk ndodhi, u sabotua, u refuzua me të gjitha mjetet dhe format nga Lulzim Basha i cili refuzoi dhe nuk mori pjesë as në takimin përfundimtar mbyllës të LSI sepse axhenda Rama-Basha përcaktonte vetëm një objektiv, dëmtimin, izolimin dhe shkatërrimin me çdo kusht të LSI e cila ishte problem më i madh lidhur me këtë pazar dysh, sepse luajaliteti dhe principialiteti i LSI ishte pasqyra ku shikohej qartë fytyra e tmerrshme dhe e shtrembër e këtij pazari.

Është fare e qartë që dhe brenda fushatës elektorale që ndërkohe LSI bënte denoncime shumë të rënda si denoncimi i shekullit për inceneratorët, pikërisht në ato moment me institim dhe me të gjithë fuqinë Lulzim Basha shfaqej live, pengonte transmetimin e këtyre denoncimeve shumë të rënda për afera qindra milionëshe dhe kurrë nuk i mbështeti ato, megjithëse ishin vërtet denoncime që hidhnin në erë të gjithë fytyrën e vërtetë të Edi Ramës, por mbrojtësi i krahut tjetër i siguronte garancinë që të mos bjeri në sy të zhbëheshin dhe të shuheshin.

E në funksion të kësaj dhe në parlamentin e sapo ngritur në komisionin hetimor për hetimin e aferës se incerenatorëve, PD refuzoi që LSI të marrë pjesë megjithë komunikimin instistues dhe të vazhdueshëm edhe timin në emër të LSI për të mos e bërë një gjë të tillë, pasi LSI ishte denoncuesja e madhe e kësaj afere që i çirrte maskën korrupsionit të frikshëm të Edi Ramës dhe një mijë sejmenëve të tij të cilët hynë edhe në sallën e parlamentit falë kësaj vjedhjeje.

Por, dyshja Rama-Basha qëndroi fort dhe sërish vazhdoi në funksion të axhendës së saj aneksimin dhe largimin e LSI si një prezencë dhe ndershmërie politike që i vinte në vështirësi shumë shumë të mëdha.