Vendosni fjalën kyçe....

Paloka i përgjigjet Bardhit: Mos u fshihni pas pikave dhe presjeve, nuk zgjidhet kriza duke rrotulluar para-mbrapa statutin


Deputeti demokrat Edi Paloka ka reaguar pas deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Gazment Bardhi, i cili i bënte thirrje të respektohej statuti i partisë në lidhje me firmat e mbledhura për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Në një reagim në “Facebook”, Paloka i cili bëri thirrje Bardhit që të mos fshihej pas pikave dhe presjeve e të mos gjente mundësi për shmangur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Sipas Palokës kriza nuk zgjidhet në këtë mënyrë, por duke parë realitetin me sy.

 “Nuk zgjidhet kriza që po kalojmë as duke përsëritur pa fund sllogane pa vlerë e as duke rrotulluar para e mbrapa statutin për t’u fshehur. Po nuk pamë realitetin në sy, po nuk i dhamë zgjidhje problemeve tona, por vazhdojmë të fshihemi pas pikave e presjeve të statutit apo procedurave të sajuara, kjo do të thotë të tallesh me vullnetin, shpresën dhe dinjitetin e demokratëve.

Anëtarët e PD-së nuk kanë hallin se kush do të mbajë zyrat apo karriget në selinë e partisë ndërkohë që ata enden rrugëve nën goditjet e një qeverie e kryeministri monstër! Demokratët presin që drejtuesit e tyre t’i udhëheqin drejt rikthimit të PD në pushtet pasi të kemi rrëzuar këtë regjim antishqiptar e kjo nuk bëhet duke u fshehur.

Vota është në themel të demokracisë! Vota tregon dhe kush është shumicë apo pakicë e pakicës. Vota është dhe zgjidhja për situatën e krizës që po kalojmë. Gjithshka tjetër, ‘po’ është tallje me demokratët!”- shkruan Paloka.