Vendosni fjalën kyçe....

SPAK e shpalli në kërkim, reagon biznesmeni Rezart Taçi: E pakuptimtë, do e ankimoj


Biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi ka reaguar pas shpalljes së tij në kërkim nga SPAK me akuza për pastrim parash.

Në një prononcim për portalin “Albanian Post”, akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Taçi i ka quajtur të pabaza dhe të pakuptueshme.

“Unë nuk arrij ta kuptoj se si mund të nxirret ndaj meje një urdhër i tillë arresti. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt. Është një vendim tërësisht i pakuptimtë.”- është shprehur Taçi.

Ndërsa është pyetur mbi lidhjen e tij me biznesmenin italian Francesco Zummo për të cilët flet SPAK, biznesmeni ka deklaruar se ai as nuk e njeh 90-vjeçarin dhe nuk e ka idenë se kush është ai.

Ndërsa, mbi vendimin, Taçi deklaroi se do ta ankimojë menjëherë dhe ka vënë në lëvizje avokatët e tij për këtë çështje.

“Albanian Post” në artikull shkruan se Taçi ka theksuar se nuk ndodhet në Shqipëri për momentin, por hapat e mëtejshëm do t’i ndjekin përfaqësuesit e tij ligjorë.