Krisja mes demokratëve duket se sa vjen e thellohet. Deputeti i PD-së Edmond Spaho ka reaguar pas deklaratave të koleges së tij Grida Dumës se ish-kryeministri Sali Berisha nuk duhet të ishte më deputet.
Spaho ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook një shkrim me deklaratën e zonjës Duma, të cilën e pyet në mënyrë retorike se pse nuk ia ka thënë këtë vetë Berishës, të cilit i shkonte çdo ditë në zyrë deri në datën 25 Prill.
“Ja ke thënë Berishës këtë, sepse deri në 25 Prill 2021 në zyrë të Berishës ke qenë çdo ditë?”- shkruan Spaho.
Një ditë më parë deputetja Grida Duma duke komentuar situatën në Partinë Demokratike deklaroi se Berisha nuk duhej të ishte në listën e zgjedhjeve të 25 prillit, duke u pozicionuar qartësisht në krah të kryetarit aktual Lulzim Basha.
Sipas Dumës, ish-kryeministri ka dalë nga kostumi i deputetit ndërsa Basha e ka respektuar atë me besnikërinë më të madhe.
“Koha kishte ardhur për të ndodhur kjo. Kjo mund të kishte ardhur edhe pas listës së zgjedhjeve të 2021-shit. Unë e kam thënë që statura e Berishën nuk përkon me kostumin e deputetit. Mënyra se si ka bërë opozitë Berisha është edhe ekstraparlamentare.
Nuk ka qenë petku i deputetit që e ka bërë të rëndësishëm në PD atë. Kjo po shkonte në absurd sepse kryetari i PD duhej të krijonte profilin e tij.
Lulzim Basha ka pasur betejën të godasë tek demokratët me një profil dhe lidership ndryshe nga Berisha i cili ishte i paprekshëm. Ka një paradosks të madh. Ai nuk mund të ishte thjesht një deputet. Ai vetë në kushtet e në politikani me përvojë të gjatë duhej të bënte një hap pas nëse do të donte që Basha të kishte peshën totale të vendimeve. Pati një vështirësi nga Basha për krijimin e profilit të tij.
Basha e ka respektuar me besnikërinë më të madhe Berishën.
Ajo që është e normalshme brenda një partie është se prezenca e Berishës aty nuk ishte pa influencë dhe impakt. Janë bërë disa disktutime në atë mbledhje. Ka pasur diskutime në atë mbledhje dhe Berisha nuk ka mbajtur qëndrim kundër. Vetë Berisha ka dalë nga Kuvendi dhe ka thënë se do e djegë mandatin. Që në listën e 2021 nuk duhet të ishte Berisha sepse e ka tejkaluar kostumin e deputetit. Basha duhet të thotë që vendimi i është i tij dhe e ka thënë qartësisht. Unë thashë që Basha deri në momentin e fundit nuk zgjodhi të bënë një kontrapedal…Kjo them unë mund të kishte ndodhur që me listën e 2021.”- janë fjalët e zonjës Duma.