Vendosni fjalën kyçe....

Vasili akuza Bashës: I dogjëm mandatet se na gënjyet me “planin gjerman”, por doli se qe një Pazar me Ramën


Në deklaratën e tij të sotme për mediet, Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili foli edhe për vendimin e përbashkët me PD-në për të djegur mandatet në vitin 2019.

Vasili ka akuzuar kryedemokratin Lulzim Bashën se i ka mashtruar për të djegur mandatet me të ashtuquajturin ‘plan gjerman’ për zgjedhje të parakohshme, por që sipas tij në fakt ky ishte vetëm një plan mes tij dhe kryeministrit Edi Rama dhe që nuk kishte mbështetjen e asnjë ndërkombëtari.

“Së dyti, një vendim shumë i rëndësishëm dhe shumë i rëndë siç qe djegia e mandateve ndodhi dhe LSI e mbështeti këtë vendim pas garancive mashtruese të mëdha për të ashtuquajturin plan gjerman për zgjedhje të parakohshme të paraqitur nga Lulzim Basha si një garanci totale për realizimin e këtij plani.

Por cila ishte e vërteta? Ky plan kishte vetëm garancinë e Edi Ramës për vazhdimin e kapjes së shtetit dhe në radhë për kapjen e pushtetit legjislativ dhe parlamentit shqiptar. Pra, e gjithë kjo aferë ishte thjesht dhe vetëm një mashtrim i poshtër.

Bojkotimi i pushtetit lokal, mbështetëm këtë veprim politik, se sërish u vu në tavolinë që plani gjerman vazhdon për zgjedhje të parakohshme dhe garancitë janë të mëdha. Në fakt ishte sërish një mashtrim tjetër i poshtër. Ky plan kishte vetëm miratimin e Edi Ramës dhe të asnjë ndërkombëtari në funksion të kapjes së pushtetit të fundit nga Edi Rama që ishte pushteti lokal.

Dhe këtu LSI përveçse mbështetjes luajale nuk bëri asgjë tjetër, ndërkohë që mashtruesit e planit Basha-Rama u vunë në funksionim të dorëzimit të të gjitha llojeve të pushteteve në Shqipëri e për të realizuar kapjen totale të shtetit në grusht në shkëmbim të interesave financiare tepër të rënda dhe të rëndësishme reciproke të të dyja palëve në këtë pazar.”- deklaroi Vasili.