Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Gani Shehun, ish-drejtorin Juridik të Burgut të Peqinit.
Kujtojmë se ndaj Shehut rëndojnë dyshime se mashtroi institucionin e akuzës, në lidhje me kohën që Viktor Imeri, i njohur si “Tori i Xhihandës”, ka vuajtur dënimin për vrasje të dyfishtë në burgun e sigurisë së lartë Peqin.
Nga hetimet rezultoi se ish- zyrtari i burgut, i dërgoi SPAK-ut të dhëna të rreme, pas një kërkese që prokuroria i bëri institucionit të vuajtjes së dënimit, ku kërkonte informacion lidhur me periudhën, sektorin apo qelinë ku kishte qëndruar i dënuari Imeri, i cili u prangos pak muaj pasi u lirua me kusht, si i dyshuar për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut.
Ky informacion kërkohej dhe konsiderohej shumë i vlefshëm për hetimin, për të konfirmuar dëshminë e të penduarit të drejtësisë Lyftar Reci, i cili pretendonte se të dhënat për dy vrasjet e bujshme të ndodhura në në vitin 2005, i kishte mësuar nga Tori i Xhihanes, gjatë kohës që kishte qëendruar në të njëjtin burg me të.
Pas arrestimit, Shehu ka pranuar sot në Gjykatë se ka qenë ai personi që ka përpiluar shkresën për Viktor Ymerin bazuar në komunikimet që ka pasur me shefat e burgjeve në lidhje me vendet ku ka kryer dënimin.
Mirëpo sipas Shehut shkresa është firmosur edhe nga drejtori dhe nëse do të ishin gabim vendodhjet e Ymerajt përgjatë viteve, mund ta kishte kthyer dhe atij i takonte verifikimi.