Vendosni fjalën kyçe....

Klevis Balliu: PD-ja s’mund të mbahet peng as nga Rama, as nga Basha


Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu thotë se Partia Demokratike nuk mund të merret peng nga asnjë person, as nga kryeministri socialist Edi Rama, e as nga vetë kryetari aktual i PD-së, Lulzikm Basha.

Në një intervistë për televizionin Klan News, Balliu u shpreh se për PD-në janë bërë sakrifica të mëdha, duke kujtuar ndër ta edhe Azem Hajdarin.

“Partia Demokratike nuk është një parti e cila mund të merret peng nga hallet dhe problemet të një kryetari apo të një ish-kryetari, për këtë parti janë bërë sakrifica të mëdha, për atë parti njerëz kanë dhënë jetën si Azem Hajdari, nuk e marrin dot peng dy individë sepse kanë hallin e karrigeve të tyre, nuk e merr dot peng dot as Edi Rama dhe as Lulzim Basha Partinë Demokratike. Ne kemi statut dhe rregulla dhe çështja është çfarë po kërkohet nga ky Kuvend.”- deklaroi Balliu.

Kjo deklaratë e tij vjen pas përplasjeve të fundit mes demokratëve, lidhur me firmat e mbledhura nga grupi i ish-kryeministrit Sali Berisha, për mbajtjen e Kuvendit më 11 Dhjetor. Balliu iu është përgjigjur edhe deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhit, i cili e konsoideroi të gjithë një “show” dhe një tallje me demokratët, duke ngritur dyshime në vërtetësinë e firmave. Por Balliu thotë se askush nuk po pengon askënd që t’i verifikojë ato firma.

“Po e kam dëgjuar deklaratën dhe është e qartë se çfarë është ajo deklaratë. Ato deklarata nuk vijnë sepse ata dyshojnë nëse janë apo s’janë firmat.

Ata e dinë që firmat e delegatëve të PD-së janë aty. Ato firma nuk janë çuar as në Kinë e as në ndonjë vend tjetër, por në institucionin e PD-së dhe konkretisht në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar ku Gazment Bardhi, Lulzim Basha dhe kushdo tjetër mund të shkojnë dhe t’i verifikojnë. Askush nuk ka ndaluar askënd dhe prandaj unë nuk shoh një rrjedhshmëri logjike në deklaratat e tyre. Askush nuk i ndalon t’i verifikojnë. Ato janë në PD.”- tha Balliu.