Vendosni fjalën kyçe....

Kompania e lojës së famshme ‘Call of Duty’ kërkon falje për fyerjen e myslimanëve


Zhvilluesi i lojërave i goditur nga skandali, Activision-Blizzard, u është dashur t’u kërkojë falje lojtarëve myslimanë për paraqitjen e faqeve të njollosura e të grisura të Kuranit në lojën ‘Call of Duty: Vanguard’.

Pamje të tilla konsiderohen shumë fyese për Islamin. Gjiganti i lojërave shkaktoi zemërim në mesin e komunitetit mysliman këtë javë për “Call of Duty: Vanguard”, seria e 18-të e sapopublikuar e serisë popullore. Harta e Stalingradit në modalitetin Zombies të lojës paraqiste faqe nga Kurani të shpërndara në një dysheme, me disa prej tyre të lagura me gjak.

Pamjet u konsideruan thellësisht fyese nga shumë lojtarë myslimanë. Nga adhuruesit islamë kërkohet që ta trajtojnë Kuranin me respektin maksimal dhe disa vende muslimane e trajtojnë përdhosjen e qëllimshme të librit të shenjtë si një formë blasfemie që dënohet me burgim.

Shumë lojtarë kërcënuan se do ta bojkotojnë lojën dhe hashtagu #NoCallOfDuty u bë trend në Twitter.

Activision-Blizzard kërkoi falje të enjten, duke e quajtur përmbajtjen të gabuar e duke deklaruar se ishte përfshirë gabimisht.

“Nuk duhet të ishte shfaqur kurrë siç u shfaq në lojë; ne kërkojmë ndjesë të thellë”, thuhet në një deklaratë të botuar në arabisht. Faqet e Kuranit në hartë u zëvendësuan më pas me fletë të zbrazëta, vunë re lojtarët.

Një skandal i ngjashëm ndodhi në vitin 2012 me një lojë tjetër të Activision, ‘Modern Warfare 2’. Ajo paraqiste një hartë me shumë lojtarë në të cilën pikturat e varura në një tualet – njëra pranë një tualeti – kishte korniza të zbukuruara me hadithe, një pjesë thelbësore e besimit islami.