Shefi ekzekutiv i kompanisë Pfizer, Albert Bourla, ka fajësuar njerëzit që përhapin ‘lajme të pavërteta’ mbi vaksinat Covid-19 për humbjen e ‘miliona jetëve’ dhe deklaroi se gjërat mund të kthehen ‘në normalitet’ vetëm pasi njerëzit të bëjnë vaksinë.
Duke folur për institutin e mendimit të Këshillit Atlantik të mbështetur nga NATO-ja, Bourla tha se një grup ‘shumë i vogël’ njerëzish po përhapin ‘lajme’ mbi vaksinat Covid-19, përfshirë ato të kompanisë së tij.
“Këta njerëz janë kriminelë,” i tha ai CEO-së së Këshillit Atlantik, Frederick Kempe.
“Ata nuk janë njerëz të këqij. Ata janë kriminelë sepse fjalët e tyre kanë kushtuar miliona jetë.”
Fjalët e Bourla i bëjnë jehonë atyre të presidentit amerikan Joe Biden, i cili gjatë verës akuzoi platformat e mediave sociale për ‘vrasje të njerëzve’.
Ndërsa studimet kanë treguar se efikasiteti i vaksinës së Pfizer zbehet me kalimin e kohës, dhe megjithëse të vaksinuarit ende mund të preken e sëmuren nga Covid-19, Bourla këmbënguli se vaksinimi masiv do të çojë në kthimin e jetës së përditshme në normalitet.
“E vetmja gjë që qëndron mes mënyrës së re të jetesës dhe mënyrës së tanishme të jetesës është, sinqerisht, hezitimi ndaj vaksinimeve,” i tha ai, Kempes.
Në të njëjtën kohë, nëse shfaqen ndonjë rast të efekteve anësore të vaksinës Pfizer, kompanitë farmaceutike nuk do të mbajnë përgjegjësi penale. Kompanitë farmaceutike janë të mbrojtura nga përgjegjësia në rast të lëndimeve ose vdekjeve të shkaktuara nga vaksinat në SHBA, Britani, BE e shumë vende të tjera.
Si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ashtu edhe Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e kanë shpallur vaksinën e Pfizer ‘të sigurt dhe efektive’.