Policia e Tiranës ka zhvilluar operacionin e koduar “THE INVITATION” ku ka arrestuar një 29-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij, banues në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shtetasi me iniciale H. L., 29 vjeç, banues në Durrës, u arrestua për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij shtetasi sirian K. A., 40 vjeç, banues në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas në bashkëpunim dhe me persona të tjerë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, siguronin ftesa fiktive për persona të ndryshëm të huaj kryesisht nga vende si Siria, Egjypti dhe shtete të tjera nga Lindja e Mesme për të ardhur në Shqipëri me justifikimin për qëllime turistike, të cilët më pas iu siguronin ndihmë për t’u larguar në mënyrë të jashtëligjshme nga vendi jonë drejt vendeve të BE-së.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë u proceduan penalisht dhe 7 shtetas të huaj, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, konkretisht shtetasit:
A.A., 33 vjeç; A. A., 38 vjeç; B. B., 28 vjeç; A. A., 34 vjeç; A. A., 52 vjeç; A. I., 54 vjeç; A. M., 39 vjeç.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.