Në mbledhjen e kryesisë së PD-së mes kryetarit Basha dhe deputetit Flamur Noka ka pasur një debat mbi përfshirjen e Rakipit, Çelës dhe Doshit në “foltoren” e Berishës.
Noka tha se deklaratat e Bashës për përfshirjen e tyre janë të rënda dhe indirekt akuzojnë se Berisha ka lidhje me bandat.
Noka shkoi më tej se nëse delegatët e Elbasanit janë kërcënuar nga emrat e mësipërm atëherë ai jepte dorëheqjen.
“Thoni se po e organizon Aqif Rakipi, Suel Çela, Rraja, Tom Doshi. Është shumë e rëndë kjo deklaratë. Po thoni indirekt që Sali Berisha paska lidhje me bandat. Në rast se delegatët e Elbasanit janë intimiduar nga kushdo qoftë, atëherë unë jap dorëheqje. Se çfarë bëjnë njerëzit në punë të tyre, kjo është punë e tyre”, -u shpreh Flamur Noka.
Nga ana tjetër Basha shprehet i sigurt për përfshirjen e tyre në “Foltore” por nuk beson se është Berisha porositësi për thirrjen e tyre. Ai ka akuzuar Kryeministrin Rama se ka dërguar Çelën e Rakipit në “foltore”.
“Tani, që Aqif Rakipi është futur me kokë në këtë proces, e ka marrë vesh gjithë Elbasani. A është futur Suel Çela? Po është futur! Dhe jam i bindur se është me porosi të Edi Ramës dhe jo të Sali Berishës. Po çfarë mund të bëjë një 20 e ca vjeçar 4 ore nën presionin e Suel Çeles përveçse të firmosë? Është turpi i kësaj partie të rrijë nën mëshirë të Suel Çelës, Aqif Rakipit, Tom Doshit dhe Rrajës. Po detyra jote Flamur është t’i thuash atyre demokrateve që të ankohen në Elbasan për Suel Çelën “Suel Çelës ia thyej brinjët këtu”, po ti 4 ore rri në Elbasan dhe ikën. E kam të pamundur në çdo qelize të trurit tim të pranoj Sali Berishën si porositës, por ai qe gjen kohen për të reaguar për çdo gjë dhe nuk gjen kohen për të reaguar për këtë, kjo nuk e nderon. Asnjë fjalë për Aqif Rakipin, asnjë fjalë për Suel Çelën.”- tha Basha.