Vendosni fjalën kyçe....

“Asnjë tjetër si Adelina” – Homazhe në nderim të Adelina Sejdinit, shqiptares që denoncoi grupet kriminale e u tradhtua nga Italia për shtetësinë


Një homazh në nderim të Adelina Sejdinit, e cila bashkëpunoi me policinë italiane duke denoncuar grupet kriminale që merreshin me trafikimin e qenieve njerëzore e prostitucionin në vendin fqinj, është zhvilluar ditën e djeshme para ambasadës italiane në Tiranë.

Qytetarët mbanin në duar pankarta që bënin thirrje për dhënien fund të trafikimit e prostitucioni e për mbështetje të viktimave.

Sejdini u vetëvra në Itali pak kohë më parë pas kërkesave të shumta për ndihmë nga autoritetet italiane. Sejdini është një nga vajzat që u trafikua nga Shqipëria në vitet ’90 dhe u detyrua të bënte prostitutën në rrugët e Italisë.

Adelina Sejdini ka bashkëpunuar gjithmonë me prokurorët publikë dhe organet ligjzbatuese pa hezitim dhe frikë, ka qenë shembull për dhjetëra e dhjetëra gra që falë saj u rebeluan kundër prostitucionit, e ka sjellë vazhdimisht zërin e saj në Senat, madje edhe në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese, si eksperte e situatës dramatike të punonjëseve të seksit.