Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, ka reaguar pas debateve të sotme në Kuvend mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes së PD-së Jorida Tabaku.
Këtë të fundit Rama e quajti “balonë tabake”, një gjuhë që Kim e ka dënuar duke thënë se është e papranueshme dhe aq më tepër kur vjen nga Parlamenti dhe transmetohet në televizion.
Në një postim në “Twitter”, Kim kërkoi që udhëheqësit në vend të jenë të ndërgjegjshëm për shembullin që japin.
“Duket e nevojshme të themi sot atë që kemi planifikuar për 25 nëntor (duke filluar 16 ditët vjetore të aktivizmit kundër dhunës gjinore): Gjuha e dhunshme, degraduese ndaj grave – veçanërisht e transmetuar në televizion nga Parlamenti – është e papranueshme. Udhëheqësit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për shembullin që ata japin.”– shkruan ambasadorja Kim.