Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Nëse foltorja e Berishës ka në plan të shantazhojë PD-në për sabotimin e zgjedhjeve të ardhshme atëherë është fund i dhimbshëm për të


Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së debati kryesor ka qenë mbledhja e Kuvendit për të cilin Basha mori vendim për ta mbledhur në 18 dhjetor, 1 javë pas atij të thirrur nga Berisha.

Basha gjatë mbledhjes siç raporton Panorama theksoi se në 11 dhjetor Berisha mund të zhvillojë tubim dhe jo Kuvendin.

Basha përmendi sërish pjesëmarrjen e personazheve si Suel Çela apo njerëz të Aqif Rakipit edhe Tom Doshit në foltoret e Berishës duke thënë se kanë firmosur formularë nën presionin e tyre.

Për këtë Edi Paloka i ka kërkuar që të çojë çështjen në prokurori por Basha i është përgjigjur se është aq i përgjegjshëm sa të mos fusë prokurorinë në parti.

Më tej Basha jep indicie se Berisha po i bën “shantazh” PD-së me zgjedhjet që i presin përpara me arsyetimin se do i dëmtojnë rezultatin përballë Edi Ramës.

Diskutimet:

Lulzim Basha: Kush më shpjegon çfarë pune ka Suel Cela, që mban peng kryetarët e grupseksioneve për të firmosur formularët? Çfarë pune ka Qifja me Kuvendin e PD? Po Tom Doshi? Kush e shpjegon?

Edi Paloka: Çoji ne prokurori Kryetar, mos na i trego këtu.

Lulzim Basha: Jam aq i përgjegjshëm sa të mos fus prokurorinë në parti, por ajo që dua të them është se gjithçka mund të ishte shmangur, nëse Sali Berisha do të kishte mbajtur fjalën dhe të mos e kishte përfshirë PD ne konfliktin e tij personal me SHBA. PD ka institucione, ka statut dhe nuk ka për të patur struktura paralele. Më 11 Dhjetor, mund të ketë tubim, por jo kuvend të PD. Paloka foli për mungesë vëmendje nga unë për masakrën zgjedhore. Si i shërbehet kauzës së masakrës zgjedhore, kur të njëjtët persona janë thirrur, janë shtyrë apo u është shkelur syri nga Edi Rama për t’u përfshirë me formularët e PD? Nuk më dhatë asnjë përgjigje çfarë interesi ka Suel Çela? Po Qifja? Ça interesi ka Tom Doshi përveçse për të përçarë PD?

Nëse plani i “Foltores”, i Sali Berishës është t’i bëjë shantazh PD-së me sabotim të çfarëdo zgjedhjesh që kemi përpara, po ju them se e ka shumë gabim. Është një fund realisht i i dhimbshëm për përmasat e figurës së tij, e kontributit të tij jo thjesht për PD, por për Shqipërinë tij. Shantazh PD-së se “po erdhën zgjedhjet, ne do t’ju dëmtojmë, që ju të mos arrini rezultat përballë Edi Ramës, ky është fundi. Uroj që të paktën këtë hap të mos e hedhë”!