Vendosni fjalën kyçe....

Basha poston videon: PD mbështet protestën e fermerëve të Myzeqesë, zëri i tyre duhet të dëgjohet


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e fermerëve të Myzeqesë.

Ai ka publikuar në rrjetet sociale, një pjesë nga fjalimi që mbajti sot në Kuvend ku e konsideron protestën e tyre të drejtë.

Në një mesazh krahas videos, Basha shkruan se PD i njeh vështirësitë dhe sakrificat e fermerëve dhe thekson se zëri i tyre duhet të dëgjohet.

 “Partia Demokratike mbështet protestën e drejtë të fermerëve. Ne i njohim vështirësitë dhe sakrificat me të cilat përballen për të dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e vendit. Kërkesat e tyre janë të përligjura, zëri i tyre duhet të dëgjohet, buxheti i shtetit duhet të përdoret për të mbështetur prodhimin vendas, jo për të majmur edhe më shumë obortarrët e kësaj qeverie të korruptuar.”- shkruan Basha.

Pjesë nga fjalimi i Bashës për fermerët

Bujqësia, që jep gati 20% të prodhimit të brendshëm bruto, merr në këmbim mbështetjen më të ulët në krahasim me çdo vend tjetër të Ballkanit, të pa krahasueshëm me Republikën e Kosovës apo të Maqedonisë së Veriut. Dhe kjo padiskutim që i bën jokonkurruese produketet e fermerëve tanë. I shkatërron ata, ndërkohë që fermerët dhe blegtorët kërkojnë mbështetje serioze, përgjigja e vetme që vjen është dhuna policore mbi ta. Është dhuna për të shuar zërin e tyre.

Është dhuna për të shuar protestën e tyre të drejtë. Dhe tani që flasim, tani që flasim në këtë moment, fermerët janë në rrugë, janë në shesh për të drejtat e tyre, për mbijetesën e tyre dhe të familjeve të tyre, për të marrë atë që kolegët e tyre në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, nuk po shkoj më tej, e gëzojnë çdo ditë, por jo këtu në Shqipëri.

E gëzojnë ata nga qeveri që mbështesin bujqësinë, që u shpërblejnë mundin dhe sakrificën me të cilën kontribuojnë në ekonomi. Por jo fermerët tanë. Brenga, dëshpërimi dhe zemërata e tyre janë të përligjura, sepse detyron të flakin djersën, produket e tyre, detyrohen të emigrojnë, detyrohen të punojnë tokat e vendeve fqinjë, të vjelin produktet e vendeve fqinj, sepse paratë e taksave që ky dhe qeveria e tij shpërdorojnë, nuk shkojnë për ta.