Vendosni fjalën kyçe....

Debate dhe përplasje/ Kryesia e PD merr vendimin, Kuvendi zhvillohet në 18 dhjetor


Pavarësisht debateve të zhvilluara midis anëtarëve të Kryesisë propozimi i kryetarit Lulzim Basha për të zhvilluar Kuvendin në 18 dhjetor është miratuar nga shumica e tyre.

Kjo tregon një dominim të Bashës në Kryesinë e emëruar nga ai.

Ndërkohë Berisha në konferencën për shtyp të zhvilluar ditën e sotme kur po zhvillonte punimet kryesia i qëndroi mendimit dhe propozimit të tij për të zhvilluar Kuvendin më 11 dhjetor, 1 javë përpara propozimit të Bashës.

Kjo përplasje për datën dhe objektin e zhvillimit u shoqërua me debate mes Bashës, Nokës, Voshit dhe Palokës.

Vendimi u mor me 28 vota pro, 3 kundër.

Kundër votoi Belind Këlliçi, Aldo Bumci, Ivi Kaso, kurse Edi Paloka dhe demokratët e tjerë që ishin në mbledhje u larguan duke mos marrë pjesë në votim.

Debati Basha-Paloka

Lulzim Basha: Kush më shpjegon çfarë pune ka Suel Cela, që mban peng kryetarët e grupseksioneve për të firmosur formularët? Çfarë pune ka Qifja me Kuvendin e PD? Po Tom Doshi? Kush e shpjegon?

Edi Paloka: Çoji ne prokurori Kryetar, mos na i trego këtu.

Lulzim Basha: Jam aq i përgjegjshëm sa të mos fus prokurorinë në parti, por ajo që dua të them është se gjithçka mund të ishte shmangur, nëse Sali Berisha do të kishte mbajtur fjalën dhe të mos e kishte përfshirë PD ne konfliktin e tij personal me SHBA. PD ka institucione, ka statut dhe nuk ka për të patur struktura paralele. Më 11 Dhjetor, mund të ketë tubim, por jo kuvend të PD. Paloka foli për mungesë vëmendje nga unë për masakrën zgjedhore. Si i shërbehet kauzës së masakrës zgjedhore, kur të njëjtët persona janë thirrur, janë shtyrë apo u është shkelur syri nga Edi Rama për t’u përfshirë me formularët e PD? Nuk më dhatë asnjë përgjigje çfarë interesi ka Suel Çela? Po Qifja? Ça interesi ka Tom Doshi përveçse për të përçarë PD?

Nëse plani i “Foltores”, i Sali Berishës është t’i bëjë shantazh PD-së me sabotim të çfarëdo zgjedhjesh që kemi përpara, po ju them se e ka shumë gabim. Është një fund realisht i i dhimbshëm për përmasat e figurës së tij, e kontributit të tij jo thjesht për PD, por për Shqipërinë tij. Shantazh PD-së se “po erdhën zgjedhjet, ne do t’ju dëmtojmë, që ju të mos arrini rezultat përballë Edi Ramës, ky është fundi. Uroj që të paktën këtë hap të mos e hedhë”!

Debati Basha-Noka

Noka: Thoni se po e organizon Aqif Rakipi, Suel Çela, Rraja, Tom Doshi. Është shumë e rëndë kjo deklaratë. Po thoni indirekt që Sali Berisha paska lidhje me bandat. Në rast se delegatët e Elbasanit janë intimiduar nga kushdo qoftë, atëherë unë jap dorëheqje. Se çfarë bëjnë njerëzit në punë të tyre, kjo është punë e tyre.

Basha: Tani që Aqif Rakipi është futur me kokë në këtë proces, e ka marrë vesh gjithë Elbasani. A është futur Suel Çela? Po është futur! Dhe jam i bindur se është me porosi të Edi Ramës dhe jo të Sali Berishës. Po çfarë mund të bëjë një 20 e ca vjeçar 4 ore nën presionin e Suel Çeles përveçse të firmosë? Është turpi i kësaj partie të rrijë nën mëshirë të Suel Çelës, Aqif Rakipit, Tom Doshit dhe Rrajës. Po detyra jote Flamur është t’i thuash atyre demokrateve që të ankohen në Elbasan për Suel Çelën “Suel Çelës ia thyej brinjët këtu”, po ti 4 ore rri në Elbasan dhe ikën. E kam të pamundur në çdo qelize të trurit tim të pranoj Sali Berishën si porositës, por ai qe gjen kohen për të reaguar për çdo gjë dhe nuk gjen kohen për të reaguar për këtë, kjo nuk e nderon. Asnjë fjalë për Aqif Rakipin, asnjë fjalë për Suel Çelën./Hashtag.al