Fermerët e Myzeqesë janë mbledhur sërish në protestë paraditen e sotme, duke marshuar nga Rrethrrotullimi i Plastmasit në qendër të Lushnjës, për të përfunduar në sheshin para bashkisë së qytetit.
Qëllimi i tubimit është të sensibilizojë qeverinë për ndryshimin e paketës fiskale për vitin 2022 në lidhje me bujqësinë.
Fermerët kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike, duke filluar nga subvencionimi për njësi prodhimi, lehtësimi e burokracirave, nxitja e eksporteve, dhe barazimi i shkallës së TVSH-së në shitje me atë në blerje.
Kjo është protesta e dytë e fermerëve të Myzeqesë të cilët vetëm 3 ditë më parë bllokuan aksin nacional Lushnjë-Rrogozhinë, ndërsa pati edhe disa prej tyre që u shoqëruan nga Policia.
Edhe protesta e sotme është mbikëqyrur nga forca të shumta policie të komisariatit të Lushnjës, forcat Shqiponja si dhe FNSH të ardhur nga drejtoria e Policisë së Qarkut Fier.
KËRKESAT E FERMERËVE:
Kërkesa Nr.1:
Të subvencionohet direct fermeri për njësi të prodhimit me 10 lekë për kilogram.
Kërkesa Nr.2:
Të stimulohen eksportuesit nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave sipas modeleve të rajonit me 3 lek për kilogram.
Kërkesa Nr.3:
Të barazohet shkalla e TVSH-së në shitje me atë në blerje në sektorin e bujqësisë. Të garantohet tatim i ligjshëm të drejtë dhe të ndershëm për operatorët e sektorit.
Kërkesa Nr.4:
Të tërhiqet tatimi me 10% TVSH i inputeve bujqësore. Nuk është koha e duhur për kete tatim shtesë sepse kosto e imputeve bujqësore është rritur
me 50-100% për shkak te krizes globale të energjisë.
Kërkesa Nr.5:
Orientim i fermerëve nga ministria e Bujqësisë me laboratorë të akredituar për analiza të tokës dhe produkteve bujqësore.
Kërkesa Nr.6:
Angazhimi në rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyrën e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore për të garantuar interesat e paleve në këtë treg.