Vendosni fjalën kyçe....

PD kundër emërimit të Enkelejd Jotit në krye të RTSH-së: Votimi i Paligjshëm, Rama u provua si armik i pavarësisë së medias


Partia Demokratike ka reaguar pas emërimit të Enkelejd Jotit si drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së.

Në një deklaratë për mediet, kryetari i Komisionit të Medias Agron Gjekmarkaj e konsideroi si të paligjshëm votimin për drejtorin e ri të RTSH-së.

Ai thotë se Këshilli Drejtues nuk ka legjitimitet për të përcaktuar kush do të drejtojë median.

“Partia Demokratike e konsideron të paligjshëm votimin për drejtorin e ri të Radio Televizionit Shqiptar. Këshilli Drejtues nuk ka legjitimitet për të marrë vendime që përcaktojnë kush do të drejtojë median, për te cilën shqiptarët, me apo pa parti, paguajnë taksë.

Përsa kohë opozita është e papërfaqësuar në këtë Këshill dhe disa anëtarë të saj janë zgjedhur në parlament pa pëlqimin e PD, ne i konsiderojmë nul të gjitha vendimet e tij. Ligji parashikon që Këshilli Drejtues të jetë i balancuar politikisht në mënyrë që të garantohet jo vetëm përfaqësimi, por edhe pavarësia, integriteti dhe autoriteti i këtij enti publik.

Me emërimin e sotëm, Edi Rama e hodhi në erë këtë parim, duke u provuar edhe një herë si armik i ligjit dhe i pavarësisë së medias.”– ka deklaruar Gjekmarkaj.