Vendosni fjalën kyçe....

Rama prezanton projektbuxhetin 2022: Asnjë sektor s’është lënë pas dore, rrisim pagat


Kryeministri Rama ka prezantuar sot projektbuxhetin e vitit 2022. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë premtoi rritjen e pagave për disa kategori të administratës, duke përfshirë mjekët, infermierët e mësuesit me 6%.

Sipas tij, edhe pse vendi është goditur nga dy fatkeqësi natyrore si tërmeti i vitit 2019 e pandemia në vijim, sërish do ketë zhvillim ekonomik.

Po kështu kreu i qeverisë tha se do hiqet taksa për pagat deri në 40 mijë lekë të reja, rritjen e ndihmës sociale për familjet me 3 fëmijë e më shumë, indeksimin e pensioneve si dhe financim për vaksinimin.

“Është një buxhet i ndërmjetëm, i shkaktuar nga dy fatkeqësi të mëdha natyrore. Megjithatë plagët e tërmetit po mbyllen ato të pandemisë po trajtohen. Asnjë sektor apo reformë nuk është lënë pas dore. Me këtë buxhet të ndërmjetëm pavarësisht edhe krizës së energjisë rrisim financimin për të mbështetur njerëzit e këtij vendi. Injektojmë financime të konsiderueshme në ekonominë familjare. Rritje e shpenzimeve publike dhe mbajtjet në parametra të borxhit publik. Do të rrisim pagat për mjekët, infermierët dhe mësuesit me 6%. Rrisim pagat për mësuesit mjekët dhe infermierët deri në 40% deri në fund të mandatit të tretë. Zerojmë taksën për pagën deri në 40 mijë lekë, ku përfitojnë 80 mijë qytetarë. Dyfishojmë ndihmën sociale për familjet me 3 fëmijë dhe e rrisim me 10% për të tjerat. Ligjërojmë me këtë buxhet pagën prej 30 mijë lekësh në muaj për naftëtarët e fierit për gjithë vitin 2022. Financojmë me 2.6 mlrd indeksimin e pensioneve, si edhe bonusin e fundvitit për pensionistët. Financojmë vijimin e vaksinimit.” – tha Rama.